Search
Close this search box.

Bekim Sejdiu është kandidati për president të Kosovës

Shpërndaje

Bekim Sejdiu është zgjedhur kandidat i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidentin e ardhshëm të Kosovës, pas marrëveshjes së arritur mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për tejkalimin e ngërçit politik.

Abdixhiku e konfirmoi marrëveshjen të hënën pas takimit me Kurtin, duke bërë të ditur se dy partitë kanë negociuar që nga 9 korriku në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pa zgjedhje të reja.

Pas shqyrtimit të disa emrave, VV dhe LDK u pajtuan për Sejdiun, profesor të së drejtës, diplomat dhe ish-gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese”, tha Abdixhiku.

Sejdiu e ka pranuar kandidaturën, duke e cilësuar atë si një nder dhe përgjegjësi të madhe.

“Është besim i madh, është nder i madh. Unë e kam pranuar këtë propozim”, tha Sejdiu, duke shtuar se synimi i tij është t’i shërbejë Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kush është Bekim Sejdiu?

I lindur në vitin 1974, Sejdiu ka mbi dy dekada përvojë në akademi, diplomaci, drejtësi kushtetuese dhe shoqëri civile.

Studimet juridike i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1999. Më pas ka përfunduar magjistraturën në marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Bilkent në Turqi në vitin 2005, ndërsa ka kryer edhe studime pasuniversitare në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës.

Doktoratën e ka përfunduar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe Studimeve Evropiane të Nova Univerzës në Slloveni.

Që nga viti 2002, Sejdiu është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku është angazhuar në fushën e të drejtës ndërkombëtare.

Karrierën e tij në shërbimin publik e ka zhvilluar edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nga viti 2000 deri më 2002 ka qenë drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile, ndërsa ka qenë edhe pjesë e grupit themelues të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), ku ka shërbyer si anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë nga viti 2002 deri më 2008.

Më pas, Sejdiu hyri në diplomacinë e Kosovës dhe u bë pjesë e brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.

Nga viti 2008 deri më 2012, ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi. Më pas, nga viti 2012 deri më 2014, ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.

Para emërimit si ambasador, Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në prill të vitit 2015, ai u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në këtë pozitë shërbeu deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje.

Gjatë veprimtarisë së tij publike, Sejdiu është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje, përfshirë një dekoratë nga Asambleja e Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësin e Qytetit të Worcesterit në Massachusetts dhe një medalje nga ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë.

Ai ka marrë pjesë edhe në vizita studimore në universitete të ndryshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara dhe ka botuar punime akademike në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.

Në veprimtarinë e tij publike dhe akademike, Sejdiu është angazhuar në fusha si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, toleranca shoqërore dhe barazia gjinore.

Gjyqtari raportues në aktgjykimin që rrëzoi Qeverinë Hoti

Gjashtë vitet e Sejdiut në Gjykatën Kushtetuese e vendosën atë në qendër të disa prej rasteve më të rëndësishme kushtetuese në Kosovë.

Ai ka shërbyer si gjyqtar raportues në disa raste me rëndësi, përfshirë rastin që lidhej me zgjedhjen e Avdullah Hotit kryeministër në vitin 2020.

Sejdiu ishte gjyqtar raportues në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin u konstatua se zgjedhja e Hotit ishte antikushtetuese, pasi njëra nga votat që kishte mbështetur zgjedhjen e tij ishte dhënë nga një deputet me aktgjykim penal të formës së prerë.

Aktgjykimi çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe hapi rrugën për zgjedhje të reja parlamentare në Kosovë.

Gjatë mandatit të tij në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka dhënë edhe disa mendime mospajtuese, duke paraqitur interpretimin e tij juridik në rastet kur ai ka dalluar nga qëndrimi i shumicës së gjyqtarëve.

rastin KO130/15, që lidhej me Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, Sejdiu dha mendim mospajtues lidhur me disa aspekte të arsyetimit kushtetues të Gjykatës për Asociacionin.

Ai ka dhënë mendime mospajtuese edhe në rastet KI135/14 dhe KI34/17, të cilat përfshinin çështje kushtetuese dhe të drejtash themelore.

Gjatë pandemisë COVID-19, Sejdiu dha mendim mospajtues edhe në rastin KO61/20, që lidhej me vendimin për vendosjen e Prizrenit në karantinë. Derisa shumica e Gjykatës e kishte vlerësuar vendimin si antikushtetues, Sejdiu kishte mbajtur një qëndrim tjetër juridik dhe kishte vënë theksin te përgjegjësia e shtetit për mbrojtjen e së drejtës për jetë dhe shëndetit publik.

Këto qëndrime janë pjesë e veprimtarisë së tij gjyqësore dhe pasqyrojnë qasjen e tij të pavarur ndaj çështjeve kushtetuese gjatë kohës në Gjykatë.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Atlantiku

Author

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme