Një baner i madh që kërkon shpalljen të pafajshëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është vendosur në qendër të Prishtinës, pak ditë para protestës së paralajmëruar në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe para aktgjykimit të shumëpritur në Hagë.
Baneri mban mbishkrimin “Në emër të qytetarëve të Prishtinës: SHPALLENI TË PAFAJSHËM” dhe kërkon që katër ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen në Kosova.
Mesazhi vjen në kohën kur rasti në Hagë po i afrohet momentit vendimtar.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin 2026, në orën 10:00, për shpalljen e aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Atë ditë gjyqtarët do të shpallin vendimin e tyre për këtë çështje.
Katër ditë më herët, më 12 shtator, në Prishtinë është paralajmëruar një protestë e madhe në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë ndër figurat më të njohura politike dhe ushtarake të lidhura me UÇK-në gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Ata u arrestuan dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë në nëntor 2020. Krasniqi u arrestua më 4 nëntor, ndërsa Thaçi, Veseli dhe Selimi më 5 nëntor.
Kjo do të thotë se ata kanë kaluar gati gjashtë vjet në paraburgim ndërsa rasti ka kaluar nëpër procedurat gjyqësore në Hagë.
Gjykimi nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vitesh procedura paraprake. Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga palët, deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt 2026.
Të katër janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza i ngarkon ata me përgjegjësi individuale penale për krime që pretendohet se janë kryer nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione në Kosova, si dhe në Kukës dhe Cahan në veri të Shqipërisë.
Akuzat përfshijnë përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit, si dhe arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje si krime lufte.
Prokuroria pretendon se këto krime janë kryer ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj personave që dyshohej se ishin kundër UÇK-së.
Mbrojtja i ka kundërshtuar akuzat dhe ka argumentuar se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë përgjegjësinë penale të katër të akuzuarve.
Një nga çështjet kryesore të mbrojtjes ka qenë struktura e UÇK-së dhe veçanërisht nëse Thaçi kishte kontroll efektiv dhe autoritet komandues mbi strukturat ushtarake.
Ndër dëshmitarët më të rëndësishëm të mbrojtjes ishte James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit amerikan dhe zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit gjatë luftës në Kosovë.
Rubin dëshmoi për kontaktet e tij me Thaçin gjatë negociatave të Rambujesë dhe procesit të mëvonshëm të çmilitarizimit të UÇK-së. Ai e përshkroi Thaçin kryesisht si figurë politike dhe dëshmoi se nuk e shihte atë si komandant ushtarak të UÇK-së.
Në mbrojtje dëshmuan edhe figura të tjera të njohura ndërkombëtare.
Paul Williams, jurist amerikan që kishte punuar me delegacionin e Kosovës gjatë Rambujesë, dëshmoi për organizimin dhe strukturën e UÇK-së.
John Duncan, ish-diplomat britanik dhe këshilltar i komandantit të NATO-s në Evropë, dha dëshmi për strukturën komanduese të UÇK-së gjatë luftës.
James “Jock” Covey, diplomat i lartë amerikan që shërbeu në UNMIK, gjithashtu dëshmoi për UÇK-në dhe rolin e Thaçit.
Christopher Hill, diplomati amerikan dhe ish-i dërguari i SHBA-së gjatë negociatave për Kosovën, dëshmoi në nëntor 2025.
Një prej dëshmitarëve më të profilizuar ishte gjenerali Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropën gjatë luftës në Kosovë. Clark dëshmoi për strukturën ushtarake të UÇK-së dhe rolin e Thaçit gjatë luftës.
Mbrojtja ka argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme që Thaçi ka kryer personalisht krimet e pretenduara apo se ka pasur autoritetin komandues të nevojshëm për t’u mbajtur përgjegjës për krimet e kryera nga persona të tjerë.
Gjyqtarët ende nuk e kanë shpallur vendimin.
Ai do të shpallet më 16 shtator në Hagë.







