Search
Close this search box.

23 Trupa të Gjetur në Zubin Potok

Shpërndaje

Mbetjet kockore të të paktën 23 personave janë gjetur në tri lokacione në Zubin Potok, gjatë gërmimeve për varreza të dyshuara masive që nisën më 28 korrik.

Prokuroria Speciale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë bërë të ditur se identifikimi i plotë i personave do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

Sipas deklaratës së fundit të zyrtarit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Bajram Limani, deri tani janë zhvarrosur 20 trupa, ndërsa tre të tjerët pritet të nxirren nga toka dhe të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Janë gjetur, janë konstatu mbetje të 23 personave, por jo të gjithë janë zhvarrosur dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, IML. Deri tash janë zhvarrosur 20, tre të fundit janë sot, dhe po shpresojmë që sot përmbyllet ky proces”, deklaroi Limani.

Ai bëri të ditur edhe shpërndarjen e mbetjeve të gjetura në tri lokacionet.

Në lokacionin e parë në Kalludër janë gjetur 13 trupa, të cilët janë dërguar në IML. Në lokacionin e dytë, në Jabukë, janë gjetur katër trupa, të cilët po ashtu janë dërguar në IML.

Gjashtë trupa janë gjetur në lokacionin e tretë në Kalludër, rreth 300–400 metra në vijë ajrore nga lokacioni i parë. Tre prej tyre janë nxjerrë, ndërsa tre të tjerët pritet të zhvarrosen dhe të dërgohen në IML.

Gërmimet në Zubin Potok nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte. Kalludra e Vogël dhe Jabuka, dy prej lokacioneve ku janë kryer kërkimet, ndodhen rreth pesë kilometra larg njëra-tjetrës.

Zbulimi ka marrë rëndësi të veçantë pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël mund t’u përkasin grupit prej 23 shqiptarësh të zhdukur në atë pjesë të Kosovës më 19 prill 1999.

Grupi njihet si “Grupi i intelektualëve të Mitrovicës”. Në mesin e personave të zhdukur kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të profileve të ndryshme.

Njëra prej familjareve të të zhdukurve, Lutfije Ademi-Vokshi, motra e mjekut Adem Ademi, ka thënë pas nisjes së gërmimeve se beson se aty mund të jenë varrosur vëllai i saj dhe pjesëtarët e tjerë të grupit.

Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se shpreson që zbulimi t’u japë familjeve më në fund një vend ku mund të kujtojnë dhe nderojnë të afërmit e tyre.

Në lidhje me rastin, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Të tre ndodhen në paraburgim. Sipas autoriteteve, njëri prej të arrestuarve dyshohet se gjatë luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Gjetjet në Zubin Potok vijnë në një kohë kur 1,577 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999. Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, kjo shifër mbetet pas 11 identifikimeve të kryera në mars 2025.

Lufta në Kosovë la mijëra viktima dhe mijëra persona të zhdukur. Për masakrat, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit nga forcat serbe dhe jugosllave, në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë u gjykuan disa prej udhëheqësve më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë, si dhe në luftërat në Bosnje dhe Hercegovinë e Kroaci. Procesi ndaj tij përfundoi pa aktgjykim, pasi ai vdiq në paraburgim në vitin 2006.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragolub Ojdaniq, u dënua me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit, ndërsa ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, u dënua me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës. Ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u lirua nga akuzat për krime të kryera gjatë konfliktit në Kosovë.

Pavarësisht proceseve gjyqësore ndërkombëtare, fati i mijëra personave të zhdukur gjatë luftës mbetet ende i pazbardhur.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe qasje në arkivat ushtarake, të cilat sipas autoriteteve të Kosovës mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Tani, mbetjet e gjetura në Zubin Potok do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të nevojshme për të përcaktuar identitetin e viktimave dhe për të sqaruar nëse ato lidhen me 23 shqiptarët e zhdukur më 19 prill 1999.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Atlantiku

Author

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme