Mijëra njerëz mbushën të shtunën rrugët e Prishtinës për “Marshin për Liri”, në një tubim masiv në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me gjykim në Hagë.
Marshi u mbajt vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Aktgjykimi përfundimtar pritet të shpallet më 16 shtator.
Skena kryesore ishte vendosur në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa turma të mëdha u mblodhën edhe në rrugët dhe sheshet përreth, përfshirë sheshin “Nëna Terezë” dhe sheshin “Zahir Pajaziti”.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin liderë politikë, veteranë të luftës, familjarë të të akuzuarve dhe familjarë të dëshmorëve të luftës.
Marshi u organizua nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, ndërsa gjatë tubimit u mbajtën fjalime me thirrje për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë drejtësi dhe paralajmëroi se, sipas tij, një proces i padrejtë do t’u shërbente Serbisë dhe Rusisë.
“Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë gjyqi nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”, tha Gucati.
Në tubim foli edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cili tha se një vendim nuk do të pranohej nëse do të ishte i padrejtë.
“Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi: mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator”, tha Hamza.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se katër ish-krerët e UÇK-së kishin luftuar për lirinë e Kosovës dhe se kishte ardhur koha që atyre t’u shprehej mirënjohje.
“Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”, tha Gjini.
Rrugët e Prishtinës u mbushën me flamuj shqiptarë e të Kosovës, si dhe me emblema të UÇK-së. Pjesëmarrësit mbanin edhe pankarta në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.
Prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet se janë kryer në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Prokuroria ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.
Prokuroria e përfundoi paraqitjen e rastit në prill të vitit 2025, ndërsa mbrojtja e përfundoi rastin në dhjetor të të njëjtit vit. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt të vitit 2026.
Shpallja e aktgjykimit fillimisht ishte paraparë për më herët gjatë këtij viti, por më pas u shty. Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftuan se aktgjykimi do të shpallet publikisht më 16 shtator, duke e arsyetuar shtyrjen me kompleksitetin e rastit dhe vëllimin e madh të provave.
Marshi i së shtunës është një nga disa tubimet e mëdha të organizuara ndër vite në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Pas përfundimit të marshit, edhe Qeveria e Kosovës falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit për mesazhin e përcjellë.
Me vetëm pak ditë deri te shpallja e aktgjykimit, pjesëmarrja masive në Prishtinë dëshmoi edhe një herë vëmendjen e madhe publike që vazhdon të ketë procesi në Hagë dhe trashëgimia e luftës së UÇK-së në Kosovë.





