Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se anëtarësimi në NATO, është qëllim strategjik i Kosovës.
Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, kontribuon në rritje të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Megjithatë, Osmani ka thënë se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me Stoltenbergun në Nju Jork, në të cilin ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës.
Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.
Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.
NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit të saj KFOR.
Të mërkurën, NATO-ja ka dërguar disa trupa rezervë të misionit KFOR për stërvitje në Kosovë.
Komandanti rajonal i KFOR-it, koloneli Christopher Samulski, ka thënë se ato janë pjesë e “planifikimeve normale”.
Më 20 shtator, NATO-ja ka thënë se është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve në mesin e minoritetit serb, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.
“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.
Sipas tij, situata, aktualisht, është e qetë, por e brishtë, andaj NATO-ja nuk e përjashton mundësinë e tensioneve të reja apo të dhunës, kur të skadojë afati për riregjistrimin e veturave, më 31 tetor.