Dua Lipa po u jep miliona njerëzve në mbarë botën një mënyrë të re për ta zbuluar Prishtinën.
Ylli me famë botërore ka publikuar një video në Instagram ku njofton se kryeqyteti i Kosovës tashmë është pjesë e Google Maps Street View, duke i ftuar ndjekësit e saj të eksplorojnë qytetin që zë një vend të veçantë në jetën e saj.
“Mirë se vini në Prishtinë! Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View”, ka shkruar ajo në përshkrimin e videos.
Në video, Dua Lipa i fton njerëzit ta njohin Prishtinën përtej fotografive.
“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View”, thotë ajo.
Artistja i prezanton shikuesit me disa nga vendet e saj të preferuara në qytet. Një nga ndalesat e para është Libraria Dukagjini, ku thotë se ndalon sa herë kthehet në Prishtinë, pasi gjithmonë gjen një libër në gjuhën shqipe që nuk e ka lexuar më parë.
Ajo viziton gjithashtu disa restorante, kafene dhe bare, të cilat, sipas saj, pasqyrojnë më së miri kulturën shqiptare, mikpritjen dhe energjinë që e karakterizon Prishtinën.
Në fund të videos, Dua Lipa ndalet edhe te Sunny Hill Festival, të cilin e cilëson si një ëndërr të bërë realitet. Sipas saj, festivali mishëron frymën e qytetit dhe çdo vit bashkon mijëra vizitorë dhe artistë nga vende të ndryshme të botës.
Falë Google Maps Street View, Prishtina tani mund të eksplorohet virtualisht nga kudo në botë, ndërsa Dua Lipa u shërben vizitorëve si udhërrëfyesja më e njohur e qytetit të saj.







