Kjo është historia frymëzuese e Kozeta Garret, vajza nga Saranda që sot drejton sigurinë kibernetike globale në gjigandin Microsoft.
Kozeta u largua nga Shqipëria në vitin 1996 për të ndjekur ëndrrën akademike. Ajo studioi matematikë në Itali dhe më pas vazhdoi rrugëtimin në Holandë, Gjermani, Kuvajt dhe SHBA, ku sot mban rolin e Drejtoreshës Botërore të Sigurisë Kibernetike në Microsoft.
“Jam gjithmonë duke mësuar dhe duke investuar në dije për t’u zhvilluar profesionalisht,” thotë Garret. Në një kohë kur teknologjia ndryshon çdo ditë, ajo thekson rëndësinë e përgatitjes dhe mbrojtjes ndaj risive.
Fillimi, siç thotë vetë, nuk ishte i lehtë: “Fillimi është gjithmonë i vështirë, por me punë dhe vendosmëri mund të arrish gjithçka.”
Për Kozetën, suksesi nuk është vetëm personal. Ajo beson fuqishëm në potencialin e shqiptarëve: “Shqiptarët janë ndër më të zgjuarit në botë dhe po shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare.”
Nëse deri më tani bota njihte Mira Muratin, shqiptaren që drejton inteligjencën artificiale në OpenAI, tani një tjetër emër kërkon vëmendjen — Kozeta Garret, gruaja që mbron botën digjitale nga zemra e Silicon Valley.
“Ende nuk jam takuar me Mira Muratin,” thotë Garret, “por mezi pres. Do të jetë një kënaqësi.”
Dy gra, dy rrugë të ndryshme, por një vizion i përbashkët — përfaqësimi dinjitoz i gruas shqiptare në teknologjinë botërore.







