Dr. Eneda Toska, shkencëtarja e talentuar nga Vlora, po bën bujë në SHBA për punën e saj të jashtëzakonshme në kërkimet për kancerin. Prej gati 20 vitesh në Amerikë, ajo drejton laboratorin e saj si asistent-profesoreshë e onkologjisë në Universitetin prestigjioz Johns Hopkins.
Së fundmi, ajo është nderuar me çmimin për “Kontribute të Jashtëzakonshme si Kërkuese e Re” në luftën kundër kancerit. Në një rrëfim, ajo tregoi historinë e saj frymëzuese nga adoleshente në Vlorë, në një nga zërat më të fuqishëm në kërkimet për kancerin e gjirit.
“Nuk doja të largohesha nga Vlora” kujton ajo. “E kisha jetën time atje, por prindërit sakrifikuan gjithçka për një të ardhme më të mirë, kur fituan llotarinë amerikane në 2002.”
Me përkushtim të jashtëzakonshëm, ajo përfundoi studimet universitare në biologji e kimi (cum laude), masterin (magna cum laude), dhe doktoraturën në biologji dhe gjenetikë të kancerit në Nju-Jork. Pastaj vijoi kërkimet në Memorial Sloan Kettering Cancer Center me profesorin e njohur Jose Baselga.
Në vitin 2021 hapi laboratorin e saj në Johns Hopkins, ku sot udhëheq një ekip shkencëtarësh për të zbuluar kura të reja kundër kancerit të gjirit. Ajo thekson rëndësinë e mamografisë vjetore për gratë mbi 40 vjeç, duke thënë se “zbulimi i hershëm shpëton jetë.”
Dr. Toska ka fituar disa çmime të rëndësishme, përfshirë titullin “Ylli i Gjeneratës së Re” dhe grante prestigjioze nga Instituti Federal i Shëndetit në SHBA. Puna e saj po sjell shpresë të re për pacientë në mbarë botën.








[…] Dr. Toska ka fituar disa çmime të rëndësishme, përfshirë titullin “Ylli i Gjeneratës së Re” dhe grante prestigjioze nga Instituti Federal i Shëndetit në SHBA. Puna e saj po sjell shpresë të re për pacientë në mbarë botën. /atlantiku.com […]