Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin e SHBA-së për një leje të propozuar për eksportimin e armatimit dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, me vlerë prej të paktën 14 milionë dollarësh. Lajmi është konfirmuar nga disa burime brenda Kongresit amerikan për Radio Evropa e Lirë.
Sipas dokumentit të dërguar në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, bëhet fjalë për eksport të artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve ushtarake për Kosovën.
Ende nuk janë bërë publike detajet për llojin e armatimit apo pajisjeve që pritet t’i përfshijë kjo marrëveshje.
Ky zhvillim vjen në një moment kur në SHBA po shtohen thirrjet që Uashingtoni ta mbështesë më fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Vitet e fundit, Kosova ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në. Në vitin 2025, Kosova pranoi dronë dhe autoblinda amerikane, ndërsa më herët kishte kërkuar edhe blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”, me vlerë rreth 75 milionë dollarë.
Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht ndodhet në proces transformimi në ushtri të plotë, proces i cili mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së fundmi, FSK-ja po përgatitet gjithashtu të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, në kuadër të planit amerikan për paqe në rajon.







