Me vendimin e Bordit të Drejtorëve të Rotary International të datës 02 Qershor 2022, është miratuar kërkesa e Klubeve Rotary nga Shqipëria dhe Kosova për të themeluar Distriktin Shqipfolës, dhe është caktuar numri i Distriktit 2485 në Rotary International.
Përmes një njoftimi për media thuhet se ky distrikt do të përfaqësohet nga zyrtarët tonë të zgjedhur në të gjitha strukturat udhëheqëse në Rotary International dhe ne do të kemi përfaqësuesin dhe zërin tonë në strukturat më të larta Rotary.
“Falënderim i veçantë shkon për miqtë tonë Rotarian, PDG Radu Popescu, Përfaqësues Special i Presidentit të Rotary International për Shqipëri dhe Kosovë, Katerina Kotsali Papadimitriou, Drejtoreshë në Rotary International, Zona 21, Shekhar Mehta, President në Rotary International si dhe Bordit të Drejtorëve të Rotary International në Evanston, SHBA. Bashkohemi në Rotary për të punuar më shumë. Bashkohemi në Rotary për të shërbyer edhe më mirë. Bashkohemi në Rotary për të mos u ndarë kurrë më”, thuhet në njoftim.
Konferenca e Distriktit më të ri në Rotary do të mbahet në Prishtinë me datën 10-11 Qershor 2022 dhe ajo ka qëllim të bashkojë Rotarianët dhe liderët në komunitet për të frymëzuar angazhim më të madh në Rotary, për të forcuar marrëdhëniet ekzistuese dhe për të shfaqur ndikimin dhe shtrirjen e Rotary-t në botë.
“Konferenca, duhet të çmojë arritjet e anëtarëve, klubeve dhe Distriktit në mënyrë që t’u japë atyre një vizion të Rotary-t përtej nivelit të klubit dhe të ofrojë një përvojë të paharrueshme miqësie. Do festojmë shumë dhe do festojmë bashkë, është festa jonë më e madhe, të cilën e kemi pritur dhe për të cilën kemi punuar gjatë. Urime për të gjithë, të cilët punuan me përkushtim dhe të palodhur për një çështje kaq madhore për Rotary dhe për kombin”, thuhet në njoftim.







