Presidenti Donald Trump ka premtuar se do ta rikthejë dialogun e dëmtuar mes Kosovës dhe Serbisë, duke fajësuar Presidentin Joe Biden për marrjen e disa vendimeve “shumë budallaqe” që, sipas tij, kanë dëmtuar procesin e paqes.
Në një postim në Truth Social, teksa fliste për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, Presidenti Trump përmendi papritur edhe Kosovën:
“Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin gati të shpërthenin në LUFTË pas dekadash tensioni. Unë e ndalova atë (Biden i ka dëmtuar perspektivat afatgjata me vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri!).”
Presidenti Trump përmendi gjithashtu përpjekjet e tij për ndërmjetësim në konflikte të tjera ndërkombëtare, si India-Pakistani dhe Egjipti-Etiopia, duke thënë se paqja midis Izraelit dhe Iranit është gjithashtu afër.
Ai e ka theksuar shpesh se gjatë udhëheqjes së tij, SHBA arriti suksese të mëdha në politikën e jashtme — përfshirë marrëveshjen ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Uashington më 2020.







