Për herë të parë, refugjatët shqiptarë nga Kosova u nderuan zyrtarisht brenda Parlamentit të Kanadasë. Mbrëmjen e 25 marsit 2026, Parliament Hill priti eventin “25@25: Honouring Refugees, Resilience and Stories of Survival,” duke shënuar 25 vjet që refugjatët nga Kosova kanë rindërtuar jetën në Kanada.
I organizuar nga Arta Rexhepi në bashkëpunim me deputetin Kyle Seeback, eventi nderoi 25 individë që përfaqësojnë guxim, lidership dhe kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërinë kanadeze.
Ndër të nderuarit ishin Arnisa Morina, e cila mbërriti në Kanada në moshën trevjeçare pas humbjes së babait gjatë luftës, dhe Shpresa Loshaj, zyrtare e lartë e qeverisë kanadeze, e angazhuar për mbrojtjen e natyrës në Kosovë. Dr. Agron Alija u vlerësua pas vdekjes.
Mbrëmja përfshiu edhe performanca artistike shqiptare nga këngëtarja Tringa Rexhepi, Vatra Dance Group nga Windsor dhe artistë të tjerë, ndërsa veshjet tradicionale shqiptare shtuan ngjyrë dhe identitet në ambientin historik.
25 vjet pas mbërritjes si refugjatë, shqiptarët e Kosovës në Kanada janë model integrimi, duke ruajtur gjuhën dhe kulturën dhe duke arritur sukses në çdo fushë. Ky nderim historik në Parlament u bë festë jo vetëm e suksesit individual, por e rrugëtimit të jashtëzakonshëm të një komuniteti të qëndrueshëm.







