Prestigjiozja amerikane The New York Times ka përzgjedhur filmin shqiptar “Pikë Uji” të regjisorit Robert Budina si një nga pesë filmat ndërkombëtarë që nuk duhen humbur këtë muaj. Ky vlerësim e vendos Shqipërinë fuqishëm në hartën e kinemasë botërore.
Në artikullin e saj, kritikja e kinemasë Devika Girish e përshkruan filmin si një pasqyrim të errët të pushtetit dhe degradimit moral. Sipas saj, Budina “i mbështjell personazhet në një atmosferë të zymtë me nuanca blu dhe gri, duke theksuar kalbëzimin e thellë që fshihet nën jetën e të pasurve dhe të fuqishmëve”.
Historia e filmit ndjek jetën e Aidës, të interpretuar nga aktorja Gresa Pallaska, një grua me pushtet që sheh botën e saj të rrënohet kur i biri akuzohet për përdhunim. Krahas saj, aktorët Arben Bajraktaraj dhe Iancu Paulo sjellin në ekran personazhe të ndërlikuara që ekspozojnë korrupsionin, mizogjininë dhe rrëzimin e iluzioneve.
Budina ka treguar më herët se titulli “Pikë Uji” lidhet me metaforën e gotës së Pitagorës – një simbol i kufijve moralë dhe shpërthimit që ndodh kur ato tejkalohen. “Një histori shqiptare duhet të flasë edhe për publikun evropian,” u shpreh regjisori, duke shtuar se filmi tashmë ka pasur sukses si brenda vendit ashtu edhe në festivalet ndërkombëtare.







