Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork po përgatitet për një nga organizimet më të mëdha dhe më të pritura të vitit — edicionin e katërt të “Albanian Picnic”, që do të mbahet më 31 maj 2026 në Wolfe’s Pond Park.
Ngjarja, e hapur për publikun, do të zhvillohet nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 6:00 të pasdites dhe pritet të mbledhë mijëra shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë nga Nju Jorku,Nju Xhersi, Konektikat dhe zona të tjera të SHBA-së.
Gjatë viteve të fundit, Pikniku Shqiptar është kthyer në shumë më tepër sesa një takim i zakonshëm komunitar. Ai tashmë konsiderohet si një festë e kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar, duke bashkuar shqiptarë nga të gjitha trojet dhe prejardhjet nën një frymë të përbashkët.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë ushqime tradicionale shqiptare, muzikë live, valle, aktivitete sportive, argëtim për fëmijë dhe aktivitete të ndryshme familjare gjatë gjithë ditës.
Organizatorët thonë se qëllimi i këtij organizimi është forcimi i lidhjeve brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe ruajtja e kulturës dhe traditave shqiptare për gjeneratat e ardhshme.
Me mijëra pjesëmarrës që priten këtë vit, organizatorët po i bëjnë thirrje komunitetit të mos e humbasë një nga tubimet më të mëdha shqiptare në zonën tri-shtetëshe.
Për më shumë informacione dhe përditësime, vizitoni faqen në Instagram: @albanianpicnic.nyc







