Liqeni i Shkodrës është shpallur zyrtarisht Rezervë Biosfere nga UNESCO, duke marrë një nga vlerësimet më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
Vendimi u miratua pas aplikimit të dorëzuar nga Shqipëria në dhjetor të vitit 2025, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen e një prej ekosistemeve më të rëndësishme në Evropën Juglindore.
Liqeni i Shkodrës, i cili ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, konsiderohet një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në rajon. Ai është shtëpi e qindra llojeve të shpendëve, peshqve dhe specieve të tjera të florës dhe faunës, përfshirë edhe specie të rralla dhe të rrezikuara.
Statusi i ri si Rezervë Biosfere synon të forcojë mbrojtjen afatgjatë të ekosistemit të liqenit, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, turizmin natyror dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ky vlerësim i UNESCO-s pritet të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe mbështetje për projektet që lidhen me ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e komuniteteve lokale që jetojnë rreth liqenit.







