Drake ka surprizuar fansat mbrëmë duke publikuar tre albume të reja njëkohësisht — Iceman, Habibti dhe Maid of Honour. Mes shumë këngëve të reja, një bashkëpunim tërhoqi menjëherë vëmendjen e shqiptarëve: “Slap The City” me artisten shqiptare Qendresa.
Kënga gjendet në albumin Habibti, ku Drake bashkëpunon edhe me artistë të tjerë të njohur të skenës ndërkombëtare.
Qendresa është këngëtare, producente, autore dhe DJ nga Londra, me prejardhje shqiptare nga Kosova. Ajo njihet për stilin e saj që kombinon R&B, electronic soul dhe hip-hop, ndërsa vitet e fundit ka krijuar emër në skenën alternative britanike.
Fansat kishin nisur të dyshonin për një bashkëpunim që më herët këtë vit, pasi Drake kishte shpërndarë disa herë muzikën e saj dhe referenca lidhur me projektet e tij të reja.
Ky publikim shënon një tjetër moment të madh për artistët shqiptarë në industrinë ndërkombëtare të muzikës, me Qendresën që tashmë është pjesë e një projekti të njërit prej emrave më të mëdhenj të hip-hopit botëror.







