Deklaratat optimiste për vënien në lëvizje të vendimmarrjes së Bashkimit Evropian (BE) sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk pritet të shoqërohen edhe me veprime konkrete drejt finalizimit të kësaj çështjeje. Tema e vizave zyrtarisht nuk është në agjendën e Samitit të BE-së, por nuk përjashtohet ofrimi i mbështetjes politike për këtë proces. Në Samitin që nis sot (e enjte) dhe vazhdon edhe të premten në Bruksel, në rend dite është shqyrtimi i aplikacionit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për anëtarësim në BE.
Diplomatë evropianë kanë bërë thirrje që Kosovës t’i hiqen vizat pa vonesa të mëtejshme. I dërguari special i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Kosovës duhet t’i njihen meritat për reformat e përmbushura.
E presidentja Vjosa Osmani, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në Samit, ka thënë se udhëton me shpresë, por jo edhe me pritje të mëdha. Në prag të kësaj ngjarjeje, Osmani ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, institucion që disa herë ka përsëritur kërkesën për liberalizimin e vizave.
Përveç Parlamentit Evropian, edhe Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte konstatuar përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, por që deri tash ka munguar vendimmarrja në Këshillin e BE-së.
Qeveritarët jo rrallë ia kanë hedhur fajin Bashkimit Evropian për dështimin që Kosovës t’i hiqen vizat.
Por ata kanë refuzuar të marrin përgjegjësinë për manipulimet rreth datave.
Kur në maj të vitit 2015 Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e vizave, por me kushtin që deri në mbledhjen e Parlamentit Evropian Kosova ta ketë ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe të dëshmojë përkushtim në luftën kundër korrupsionit, qeveritarët në Prishtinë kishin hapur shampanjat thuajse ishte dhënë drita e gjelbër. Festa e madhe kishte ndodhur në kabinetin e ish-ministrit të Integrimeve, Bekim Çollaku. Ai la këtë dikaster pa e përmbushur premtimin, duke iu bashkuar në kabinet ish-presidentit Hashim Thaçi. Edhe Thaçi e kishte reduktuar në çështje orësh datën kur kosovarët do të mund të shkonin pa viza në zonën Schengen. Por dy mandate në krye të Qeverisë, gjysmë mandati në Qeverinë Mustafa dhe gati një mandat në krye të Presidencës, Thaçi nuk e përmbushi premtimin.
Qasje e njëjtë ishte edhe pasi Isa Mustafa u vu në krye të Qeverisë. Ai vazhdimisht insistonte se Kosova ka kryer detyrat e shtëpisë. Prej asaj kohe është dashur të kalojnë tre vjet dhe të ndërrohen dy qeveri, për t’u konstatuar përmbushja e të gjitha kritereve teknike.
Traditën e premtimeve dhe urimet për liberalizim vizash i vazhdoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Madje ai pati thënë se, tre muaj pas ardhjes në Qeveri, kosovarët do të mund të lëvizin pa viza brenda zonës Schengen. Haradinaj e votoi edhe marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, të cilën si opozitar e pati kundërshtuar me të gjitha mjetet, për shkak të pretendimeve se Kosovës i humb 8 mijë hektarë tokë. Ai u mjaftua me një deklaratë të nënshkruar nga presidentët Thaçi-Vujanoviq, sipas së cilës korrigjime do të bëhen në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.
Për shkak të mospërmbushjes së kritereve, Kosova e humbi mundësinë që të futet në zonën Schengen bashkë me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, në vitin 2017.
Edhe pse jo zyrtarisht, çështja e liberalizimit është lidhur me kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi. BE-ja vazhdon të insistojë në përkushtimin e palëve drejt arritjes së një marrëveshjeje finale.
Një draft i konkluzave i publikuar nga Radio Evropa e Lirë konfirmon se nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim rreth vizave për Kosovën, ndërkaq një paragraf i veçantë u kushtohet dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjes së mospajtimeve.
“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft.
Në draftin e konkluzave të përgatitura për samit flitet edhe për idenë e krijimit të Bashkësisë Politike Evropiane.
“Këshilli zhvilloi diskutim strategjik për raportet e Bashkimit Evropian me partnerët në Evropë. Diskutoi propozimin për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane. Qëllimi është që të ofrohet një platformë për koordinimin politik të vendeve evropiane përgjatë tërë kontinentit. Mund të jetë e vlefshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet e asociuara nga fqinjësia lindore, vendet e EFTA-s dhe të gjitha vendet, me të cilat kemi lidhje të afërta”, do të thuhet në dokumentin që pritet ta miratojnë liderët e BE-së.
Për shkak të pakënaqësive me qasjen e BE-së, pjesëmarrjen në Samit e kishin vënë në dyshim Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar të mërkurën se megjithatë do të marrë pjesë.
Ai ka paralajmëruar se do të flasë për “Ballkanin e Hapur” dhe për Bullgarinë, se si kjo e fundit po e mban peng Shqipërinë.
“Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e komunitetit të ri politik evropian, të cilin e përkrahim, për ‘Ballkanin e Hapur’ që shtyn para shpirtin e Evropës dhe kidnapimin tonë nga Bullgaria që e shkatërron atë”, ka shkruar Edi Rama.
Por pas lajmit se opozita në Bullgari ka vendosur të mos bllokojë bisedimet me Maqedoninë e Veriut, Rama është lajmëruar sërish në llogarinë e tij në Twitter.
“Kam dëgjuar tash se diçka po lëviz në Bullgari. Është tepër herët për të qenë optimist dhe tepër pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit nesër ku Bullgaria kritikohet si shtet që ka kidnapuar dy shtete të NATO-s, ndërsa ka një luftë të nxehtë në kufijtë e Evropës”, ka shkruar Rama.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Samitin e Brukselit të enjten.
Ky është samiti i fundit i BE-së gjatë Presidencës franceze, pasi nga 1 korriku kryesimin e merr Çekia. Edhe agjenda e Çekisë do të dominohet nga situata në Ukrainë, e cila vazhdon të mbetet nën sulmin e Rusisë.
Në fjalën hyrëse, kryeministri çek, Petr Fiala, para disa ditësh premtoi bashkëpunim të ngushtë me vendet anëtare të BE-së. Ndërkaq me NATO-n tha se do të thellohen bashkëpunimet për sistemin e sigurisë në Evropë. Sipas tij, detyrë e BE-së dhe e Presidencës çeke të Këshillit të BE-së është t’u dalë në ndihmë ukrainasve.
“Do të kërkojmë mbështetje buxhetore për rinovimin e armatimeve evropiane. Evropa aktualisht po përballet me shumë sfida, por nëse veprojmë me unitet dhe vendosmëri do të dalim nga këto kriza më të fortë dhe më elastikë”, ka thënë ai.
Muaj më parë, ambasadori çek në Kosovë, Pavel Bilek, pati deklaruar se me Çekinë në krye të Këshillit të BE-së, edhe Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet.