Investimet në Kosovë dhe siguria për Kosovën, në dritën e problemeve ekzistuese në Ballkan, kanë qenë qëllimet vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ka thënë gazetarëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten, në Aeroportin e Prishtinës.
Ai është kthyer të premten në Kosovë, pas qëndrimit për tre javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Kurti ka theksuar se ka vizituar Shtëpinë e Bardhë në Uashington dhe është takuar me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan dhe temë e këtij takimi, të cilin e ka quajtur si tejet të veçantë, ka qenë siguria për Kosovën.
“Kemi kërkuar mbështetjen për programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, që paraqet hapin e parë, tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku tashmë kepi aplikuar. Aty kemi disa shtete, të cilat kanë statusin e vëzhguesit – përveç shteteve anëtare – në mesin e të cilave, duket theksuar Shtetet e bashkuara të Amerikës”, tha Kurti, duke shtuar se është biseduar edhe për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Takimi Kurti – Sullivan ka ndodhur me 18 maj. Sullivan shprehu mbështetjen e SHBA-së mbi dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura.