Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marr pjesë në varrimin e mikes së madhe të shqiptarëve, ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Nga Zyra e Presidentes kanë konfirmuar për Telegrafin se me ftesë së familjes Albright, presidentja Osmani do të udhëtojë për SHBA në fillim të javës që vjen, për të marrë pjesë në varrim të ish-Sekretares Albright.
“Gjatë qëndrimit në SHBA presidentja Osmani do të ketë edhe disa takime të tjera”, kanë thënë nga Presidenca.
Mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.
Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Albright ka vizituar tri herë Kosovën, pak muaj pas përfundimit të luftës 1999, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit të saj në Prishtinë.
Ajo ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.
Në nderim të mikës së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte shpallur 24 marsin ditë zie në Kosovë.