Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se janë të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e planifikuara të premten.
Në deklaratën e Quint-it dhe BE-së nuk është përmendur lokacioni, mirëpo të premten, 25 mars, në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë janë duke u zhvilluar protesta të popullsisë lokale serbe, kundër vendimit Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia kanë pasur “obligim pune” të marrin pjesë në protesta.
“Qytetarët kanë të drejtë që të mblidhen dhe kanë përgjegjësi që këto protesta të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme”, është thënë në deklaratën e këtyre misioneve.
Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.