Aleksander Nilaj, shqiptari që qëndron pas njërës prej bankave më të mëdha të ushqimit në Bronx, u ndalua nga ICE më 13 tetor, pikërisht aty ku kishte shkuar për t’iu bindur ligjit. Ai u arrestua teksa paraqitej në seancën e tij të emigracionit në 26 Federal Plaza në Manhattan.
Tani ai mbahet në qendrën e paraburgimit Delaney Hall në New Jersey.
Nilaj themeloi Albanian American Open Hand Association në vitin 2012, duke shpërndarë pako ushqimore dhe mjete shkollore për familjet në Pelham Parkway. Pas pandemisë, kërkesa u rrit ndjeshëm dhe sot organizata ndihmon 7.000 deri në 8.000 njerëz në muaj.
Pa të, dyert janë mbyllur. Banka e ushqimit në Lydig Avenue njoftoi se nuk do të shpërndajë ushqime derisa Nilaj të kthehet, dhe paralajmëron se mund të mbyllet përgjithmonë nëse ai nuk lirohet.
Kongresmeni Ritchie Torres e vizitoi në paraburgim dhe kërkoi lirimin e tij, duke thënë se ndalimi i një njeriu që i kushtoi jetën ushqimit të të varfërve nuk është drejtësi, por mizori. Sipas Torres, Nilaj nuk ka asnjë precedent penal apo akuzë, dhe avokati i tij do të kërkojë lirimin përmes një peticioni habeas corpus.
Bordi Komunitar 11 i Bronxit i shkroi gjykatësit të emigracionit duke kërkuar lirimin e tij me kaucion. Menaxherja e ndërtesës ku ai punon si mbikëqyrës tha se ai ka probleme shëndetësore, përfshirë dhimbje të rënda shpine.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) pretendon se Nilaj hyri ligjërisht në SHBA më 1 tetor 2006, por qëndroi pas skadimit të lejes, dhe një gjykatës urdhëroi largimin e tij më 22 korrik 2008. Ai e kishte kundërshtuar urdhrin në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Tretë, e cila në nëntor 2025 refuzoi pezullimin e deportimit.
Sipas të dhënave të TRAC, mbi 70% e emigrantëve të ndaluar nga ICE nuk kanë asnjë të kaluar kriminale.
Stafi dhe banorët janë mbledhur në Lydig Avenue për të nënshkruar peticione që kërkojnë lirimin e tij. Deri atëherë, raftet mbeten bosh.







