Dhjetëra shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara u mblodhën në Times Square në New York për të protestuar kundër dënimeve të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit mbanin flamuj shqiptarë dhe të UÇK-së, si dhe pankarta me fotografitë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Në mesin e mesazheve të shfaqura gjatë protestës ishte “Liri për çlirimtarët tanë”, ndërsa në disa pankarta kërkohej që të trajtoheshin edhe përgjegjësitë për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe.
Protesta në New York u zhvillua një ditë pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së janë mbajtur në paraburgim në Hagë që nga arrestimet e tyre në vitin 2020 dhe i kanë mohuar akuzat ndaj tyre.
Protesta në Times Square ishte një tjetër shprehje e mbështetjes së një pjese të komunitetit shqiptaro-amerikan për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe kundërshtimit ndaj procedurave gjyqësore në Hagë.





