Rona Mala, një e re me prejardhje nga Drenasi, ka përfunduar me sukses trajnimin bazë ushtarak pasi iu bashkua Gardës Kombëtare të Luizianës në Shtetet e Bashkuara.
Mala përfundoi 12 javë përgatitjeje intensive në Basic Combat Training në bazën ushtarake Fort Sill, në Oklahoma. Aktualisht, ajo po vazhdon Advanced Individual Training në Fort Leonard Wood, Missouri, pas përfundimit të të cilit planifikon t’u rikthehet studimeve universitare.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, e ka veçuar arritjen e Ronës në një postim në rrjetet sociale, duke e cilësuar vendimin e saj për t’iu bashkuar Ushtrisë Amerikane në një moshë të re si një shembull frymëzues për vajzat e diasporës shqiptare.
Maqedonci bëri të ditur se ishte ftuar si mysafir nderi në ceremoninë e diplomimit të Ronës në Fort Sill, por nuk kishte mundur të merrte pjesë për shkak të angazhimeve të tij zyrtare në Kosova.
Arritjet e Ronës kishin nisur shumë përpara përvojës së saj ushtarake. Sipas Maqedoncit, ajo është dalluar vazhdimisht gjatë shkollimit, ka qenë pjesë e Honor Roll dhe ka arritur deri në finale të garave kombëtare të vallëzimit në Shtetet e Bashkuara.
Përfundimi me sukses i trajnimit bazë ushtarak përbën tashmë një tjetër pikë të rëndësishme në rrugëtimin e saj. Ajo po vazhdon trajnimin ushtarak në Missouri, ndërsa më pas pritet t’u rikthehet studimeve universitare.
Maqedonci e ka uruar Ronën për suksesin, duke e cilësuar arritjen e saj si krenari për familjen, Drenasin, diasporën shqiptare dhe gjithë Kosovën.







