Blerim Skoro, 55 vjeç, një refugjat nga Kosova që pretendon se për gati një dekadë ka punuar për CIA-n, FBI-n dhe DEA-n, është arrestuar nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe tani përballet me rrezikun e deportimit në Kosovë.
Skoro u arrestua më 3 gusht nga agjentët e Immigration and Customs Enforcement (ICE), teksa ishte paraqitur për një takim rutinë biometrik në një zyrë emigracioni në New Jersey, për të rinovuar lejen e tij të punës.
Avokatët e tij kanë kërkuar nga gjykata federale ndalimin e deportimit, duke argumentuar se Skoro kishte marrë mbrojtje nga dëbimi në vitin 2022 dhe se autoritetet amerikane duhet të marrin leje nga gjykata për ta deportuar atë.
Skoro, i cili jeton në Staten Island, New York, me bashkëshorten amerikane dhe tre fëmijët e tij, thotë se i ka kushtuar vite të jetës së tij luftës kundër terrorizmit për Shtetet e Bashkuara.
Historia e tij me shërbimet amerikane të sigurisë nisi kur ai ishte në burg për trafikim droge në vitin 2000.
Skoro ishte larguar nga Kosova në vitet 1990, pas luftës, dhe kishte kërkuar azil në SHBA. Ai ka treguar se kishte braktisur ushtrinë jugosllave pasi kishte dëshmuar vrasje dhe dhunë ndaj civilëve gjatë luftës.
Gjatë vuajtjes së dënimit në një burg federal në Pensilvani, nga viti 2002 deri në vitin 2006, ai u afrua me persona të lidhur me rrjete radikale islamike.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Skoro thotë se CIA e rekrutoi për shkak të prejardhjes së tij, njohurive fetare dhe lidhjeve që kishte krijuar në burg.
Dokumente të FBI-së të vitit 2004 e identifikojnë Skoron si informator në një hetim që lidhej me Osama bin Ladenin. Informacionet e tij në disa raste cilësoheshin si të besueshme dhe të përdorshme për operacione, ndërsa ai kishte dhënë edhe të dhëna për një kamp trajnimi në Siri.
Gjatë kësaj periudhe, Skoro thotë se ndihmoi hetimet kundër disa personave të lidhur me terrorizmin, përfshirë pjesëtarë të të ashtuquajturit “Lackawanna Six”, rrjetit xhihadist të Virxhinias dhe Hezbollahut.
Në vend që të merrte një ulje të dënimit, Skoro u deportua në Kosovë në vitin 2007.
Ai pretendon se pikërisht atëherë filloi pjesa më e rrezikshme e punës së tij.
Sipas deklarimeve të tij në gjykatë, CIA e udhëzoi që të depërtonte në rrjetet e al-Qaedas nga Ballkani. Nga viti 2007 deri në vitin 2009, ai thotë se punoi nën mbulim në Kosovë dhe udhëtoi në Siri, Liban, Jordani, Pakistan dhe Egjipt.
Fotografi dhe video nga ajo periudhë tregojnë Skoron në ambiente të Lindjes së Mesme, së bashku me persona që ai i identifikon si terroristë.
Një prej operacioneve më të rëndësishme në të cilat ai pretendon se mori pjesë ishte arrestimi i Betim Kaziu, një terrorist nga Brooklyn-i, i cili u dënua me 27 vjet burg pasi tentoi të siguronte armë për grupin terrorist al-Shabaab, me synim sulmet ndaj trupave amerikane jashtë vendit.
Skoro ka deklaruar se Kaziu qëndronte në apartamentin e tij në Kosovë kur ai kontaktoi fshehurazi me personin që e konsideronte si kontaktin e tij në CIA dhe i dha vendndodhjen e tij.
Kaziu u arrestua në korrik 2009 me një pushkë, municion dhe granata.
Skoro pretendon gjithashtu se ndihmoi në interceptimin e dërgesave të uraniumit drejt Kosovës, duke parandaluar një komplot të mundshëm për një “bombë të pistë”.
Në vitin 2009, një komunikim elektronik mes Skoros dhe një personi që ai e identifikon si handler-in e tij të CIA-s përmend arrestimin e Kaziu-t dhe kthimin e tij në SHBA.
Skoro thotë se e përfundoi punën si informator rreth vitit 2010 dhe se shërbimet amerikane i kishin premtuar se do të mund të jetonte në mënyrë të ligjshme në SHBA.
“E konsideroja veten patriot të Amerikës para së gjithash dhe mysliman së dyti. Doja t’ia ktheja këtij vendi”, ka thënë ai.
Por statusi i tij në SHBA nuk u zgjidh.
Skoro pretendon se mbulimi i tij u zbulua dhe se gjatë qëndrimit në Kosovë u qëllua në këmbë në një atentat ndaj tij.
Në vitin 2014, ai u kthye në SHBA përmes Kanadasë, duke hyrë në mënyrë të paligjshme në vend.
Në vitin 2016, ai ra sërish në duart e autoriteteve të emigracionit pasi policia e New York-ut e arrestoi për përdorimin e kartës së transportit me zbritje të vajzës së tij.
Çështja e tij e emigracionit vazhdoi për vite.
Në nëntor 2022, një gjykatës federal vendosi që Skoro nuk mund të deportohej në Kosovë sipas Konventës Kundër Torturës, për shkak të rrezikut që ai të torturohej ose të vritej nëse kthehej atje.
Vendimi nuk i dha atij rezidencë të përhershme në SHBA, por e mbrojti nga kthimi në Kosovë.
Tani, katër vjet më vonë, ai ndodhet sërish në paraburgim.
Më 3 gusht, Skoro ishte paraqitur në një zyrë emigracioni në New Jersey për një takim rutinë biometrik. Ai thotë se dorëzoi lejen e punës dhe patentën e shoferit, por brenda pak çastesh agjentët e ICE-së e prangosën.
“Shkova në zyrë për takimin tim të planifikuar, ua dhashë lejen e punës dhe patentën dhe papritur më vunë prangat. Nuk ka kuptim”, ka thënë Skoro.
Bashkëshortja e tij, Susan Skoro, ishte me të në momentin e arrestimit.
Ajo thotë se agjentët e futën bashkëshortin e saj në një dhomë dhe më pas e larguan me një makinë.
“Ata e tradhtuan. Ai e ka vuajtur dënimin. Për pak humbi jetën dhe askujt nuk i intereson. Ai meriton një falje”, ka thënë ajo.
Skoro aktualisht mbahet në Elizabeth Detention Center në New Jersey.
“Unë kurrë nuk mendova se do të më tradhtonin në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
“Ju lutem, nëse vdes, dua të vdes në këtë vend që fëmijët e mi të mund të më varrosin.”
Avokati i tij i mëparshëm, Joshua Dratel, e ka përshkruar Skoron si një person që për rreth një dekadë ka jetuar një jetë të rregullt me familjen e tij, pas asaj që ai e përshkruan si një periudhë jashtëzakonisht të rrezikshme në shërbim të SHBA-së.
Bhairavi Desai, drejtore ekzekutive e sindikatës së taksistëve ku punon Skoro, ka thënë se ishte e befasuar kur mësoi se statusi i tij në SHBA ishte ende i pasigurt.
“Mendoja se, duke pasur parasysh punën që ai bëri në luftën kundër terrorizmit në emër të CIA-s, ai tashmë do ta kishte statusin e përhershëm këtu”, ka thënë ajo.
Avokatët e Skoros kanë dorëzuar një kërkesë për habeas corpus në gjykatën federale, duke argumentuar se ICE nuk mund ta deportojë atë pa autorizimin e gjykatës, për shkak të mbrojtjes që ai mori në vitin 2022.
Në kërkesën e ndryshuar, të dorëzuar më 17 gusht, avokatët argumentojnë se autoritetet nuk mund të arrestojnë dhe mbajnë pafundësisht një person që ka marrë mbrojtje nga deportimi sipas Konventës Kundër Torturës “pa njoftim, arsye apo proces”.
Gjykatësi federal Robert Kirsch i ka kërkuar qeverisë të përgjigjet.
ICE e ka pranuar kërkesën për koment, por nuk ka dhënë përgjigje. CIA dhe FBI gjithashtu nuk kanë komentuar publikisht mbi pretendimet e Skoros.
Rasti i tij vjen në një kohë kur administrata e Donald Trumpit ka intensifikuar arrestimet dhe deportimet e emigrantëve në të gjithë SHBA-në.
Skoro thotë se deportimi në Kosovë nuk është thjesht një çështje emigracioni për të, por një rrezik për jetën e tij.
Ai pretendon se ka kaluar vite duke rrezikuar jetën për SHBA-në, duke depërtuar në rrjete terroriste dhe duke ndihmuar në arrestimin e personave të dyshuar për terrorizëm.
Tani, i njëjti shtet që ai thotë se i ka shërbyer, po përpiqet ta kthejë atë në Kosovë.
“Çfarë mesazhi i dërgon kjo njerëzve që mendojnë të punojnë me CIA-n?”, ka thënë Skoro. “Kjo tregon se nuk do të mbrohesh, nuk do të kujdesen për ty.”







