Një 53-vjeçar nga Gjilani, Besnik Ismajljaj, është arrestuar në një aeroplan në Çikago pak para nisjes, pasi iu gjet një armë e mbushur në çantën e dorës.
Ngjarja ndodhi muajin e kaluar në aeroportin O’Hare, ku sipas mediave amerikane, Ismajljaj ia doli të kalojë sigurinë me një pistoletë “Glock 9mm” gjatë ndërrimit të stafit në Pikën e Sigurisë Nr. 2 në Terminalin 1.
Pamjet nga kamerat e trupit të policëve e tregojnë Ismajljajn të ulur në klasën e parë, kur zyrtarët futen në aeroplan dhe e nxjerrin jashtë. Kur e pyesin nëse e dinte pse ndodheshin aty, ai përgjigjet qetë: “Po, është në çantën time.” Pasi zbret nga avioni dhe i vendosen prangat, thotë: “E kam harruar.”
Zyrtarët e TSA-së konfirmuan se një agjent e kishte parë armën në makineri, por Ismajljaj mori çantën dhe kaloi për në fluturim para se të ndalohej. Një udhëtar tjetër e identifikoi atë si personin që kishte armën.
Videot tregojnë gjithashtu momentin kur ai futet në një furgon policie në pistë dhe më pas dërgohet në dhomën e ndalimit ku i lexohen të drejtat.
Ismajljaj është akuzuar për një kundërvajtje për mbajtje të armës së fshehur në aeroport. Seanca e tij gjyqësore është caktuar për 9 qershor.







