Me 32 mijë e 600 kafene në të gjithë botën, kompania Starbuck është më shumë sesa thjesht një emër i njohur. Nga gotat prej letre, në të cilën shpesh shkruhen gabimisht emrat e klientëve, tek ekspreso brenda tyre, gjatë 47 viteve të fundit Starbucks është zhvilluar nga një kafene në Seattle në një biznes 80 miliardë dollarësh.
Gati dy e treta e kafeve të shitura në Shtetet e Bashkuara vjen nga Starbucks. Vetëm në SHBA Starbucks shërben kafenë e vet në mbi 14 mijë lokacione të ndryshme.


Tre miq kolegji nga Seattle, Zev Siegel, Jerry Baldwin dhe Gordon Bowker vendosën të hapin Starbucks-in më 1973.
Në vitet e 70-ta njerëzit nuk pinin kafe çasti në qytet. Por Starbucks ndryshoi këtë kulturë.


Në fillim të viteve 80, kompania punësoi një profesionist për marketing dhe shitje, Howard Schultz. Një vizitë e tij në Itali më 1983, i solli një ide të re. Të shndërronte dyqanet Starbucks ku shitej kafe e pjekur në kafene ku shërbehen kafe të ndryshme çasti. Një vit më pas Starbucks shet latte-n e parë. Eksperimenti doli të jetë i suksesshëm. Në moshën 34 vjeçare Schultz e bleu Starbucks-in për 3.8 milion dollarë.


Ai ndoqi një strategji agresive për zgjerim. Më 1992, Starbucks kishte 165 dyqane. Më 1996, ai hapi më shumë dyqane në mbi 1 mijë lokacione, duke përfshirë kafenetë e para ndërkombëtare në Japoni dhe Singapur. Rritja ishte e shpejtë, saqë tri vite më vonë, Starbucks hapi 2 mijë dyqane të reja.
Ky trend nuk u ndal pasi Starbucks po hapte nga 1 mijë e 500 dyqane çdo vit, ndërsa më 2007 shitjet u rritën nga 2 miliardë dollarë në 9.4 miliardë dollarë.
Starbucks vazhdon të jetë kafeja e preferuar e amerikanëve dhe një mënyrë ideale për ta nisur ditën ata që zgjohen herët.









