Gazeta zvicerane “Blick”, ka bërë publike një artikull ku paraqiten vendet që ia vlen të vizitohen në Kosovë.
Sipas Blick, Kosova nuk është destinacioni numër një i pushimeve, por që ekzistojnë disa vende që ia vlenë të vizitohen.
Por cilat janë vendet që ia vlen të vizitohen :
Gjeravica
Gjeravica është maja më e lartë në Kosovë dhe një atraksion i vërtetë për adhuruesit e natyrës që çdo alpinist amator mund ta pushtojë. Pas një udhëtimi njëorësh me xhip nga Juniku, duhen rreth katër deri në gjashtë orë ecje për të arritur majën. Shpërblimi: një pamje spektakolare dhe një not në një nga liqenet akullnajore.
Rugova
Rugova ndodhet jo larg Gjeravicës në rajonin e Pejës. Rajoni të bën përshtypje me malet, pyjet, lumenjtë dhe liqenet e tij. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë turistë të huaj e kanë zbuluar Rugovën – dhe me të drejtë.
Artana
Artana është një nga vendet më të rëndësishme në Kosovë për sa i përket historisë mesjetare të vendit. Në këtë qytet dikur jetonin mbi 50.000 banorë, popullsia përbëhej nga minatorë saksonë, osmanë, kozakë, shqiptarë, sllavë dhe shumë popuj të tjerë që u sollën në këtë vend për të punuar në minierat e argjendit. Në fakt, Artana ishte një Nju Jork apo Londër e ditëve moderne në Mesjetë pasi ishte një metropol i vërtetë që ofronte vende pune për njerëzit e aftë në artin e nxjerrjes së argjendit dhe përpunimit të argjendit.
Qendra e skijimit në Brezovicë
Ka një arsye kryesore për të ardhur në Brezovicë: skijimi. Është destinacioni dimëror më i vizituar në Kosovë. Brezovica ka 16 kilometra shpate me gjatësi mesatare prej katër kilometrash. Vendi shërben si qendër stërvitore për ekipet kosovare të sporteve dimërore.
Liqenet e Mirushës
Liqene, gryka të lë pa frymë dhe fauna e bukur: një vizitë në liqenet e Mirushës ia vlen patjetër një udhëtim. Por kini kujdes: ka shumë hardhuca dhe disa gjarpërinj në rrugë.Shpella e Gadimes
Është 1500 metra e gjatë, por për turistët është e mundur të shohin vetëm 1300 metrat e para të shpellës, pasi kalimet nuk janë ende të mundshme për pjesën tjetër të kalimeve të shpellës. Shpella e Gadimes është shpella më e njohur e stalaktiteve në Kosovë dhe aktualisht e vetmja e hapur për vizitorë. Ajo që e bën të veçantë shpellën është aragoniti, i cili rrallëherë gjendet si dekor i shpellës, transmeton shqip.com
Kalaja e Prizrenit
Kalaja e Prizrenit është monumenti më i famshëm i trashëgimisë kulturore dhe simboli i qytetit të Prizrenit. Kalaja është e ndërtuar në një kodër të lartë nga e cila shihet i gjithë qyteti i Prizrenit. Rruga për në kështjellë zgjat 15 minuta në këmbë.