Një vajzë shqiptare vetëm 10 vjeç ka bërë realitet një ëndërr të madhe në Florida të SHBA-së, duke botuar librin e saj të parë. Emili Shkulaku ka mahnitur të gjithë me talentin e saj, duke sjellë librin “Tregimet e natës”, i cili tashmë është në shitje në Amazon jo vetëm në Amerikë, por edhe në Gjermani, Angli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Australi, Itali e shumë vende të tjera.
Emili, me babanë nga Shqipëria dhe nënën nga Kosova, është studentja e parë në shkollën e saj, RiverCity Science Academy – një nga shkollat më të mira charter në Florida – që arrin të botojë libër.
Në një rrëfim për eksperiencën e saj, ajo u shpreh:
“Sikur shumë baballarë që u tregojnë fëmijëve të tyre tregime para gjumit, edhe babai ynë na tregonte tregime e përralla. Kështu më lindi ideja që të nisja të shkruaja tregimet e mia në kompjuter. Pasi i përfundova, i dërgova në Amazon dhe u miratuan për botim. Jam shumë e lumtur.”
Libri i saj prej 300 faqesh përmban tregime të cilat mund të lexohen nga mosha 8 deri në 16 vjeç. Disa prej tyre janë: “Jeta e mirë”, “Brirët e drerit”, “Vështrimi i kukullës”, “Planet e këqija mbi Univers”, “Dyshemeja e dhisë”, “Çanta e insekteve” etj.
Emili gjithashtu ka shprehur dëshirën që, gjatë vizitës së ardhshme në Shqipëri, të lexojë veprën e Mitrush Kutelit “Tregime të mocme shqiptare”, pasi ajo vetë është nga qyteti i Pogradecit.







