Miliona tifozë futbolli e kujtojnë momentin kur një tifoz i ri vrapoi në fushë dhe përqafoi Cristiano Ronaldon gjatë ndeshjes miqësore mes Real Madridit dhe Chelseat në Miami në vitin 2013.
Pak e dinin se ai tifoz ishte shqiptar.
Edhe më pak e dinin se, pasi kamerat u fikën, Cristiano Ronaldo bëri diçka të jashtëzakonshme për ta mbrojtur të ardhmen e tij.
Ai ishte Ronald Gjoka, një student shqiptar që jetonte në Florida. Pasi hyri në fushë në Sun Life Stadium, ai u arrestua dhe kaloi natën në burg. Ngjarja e vendosi përballë akuzave penale që mund të ndikonin si në studimet e tij, ashtu edhe në statusin e tij të emigracionit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas avokatit të Ronaldit, i riu shqiptar ishte rritur pa baba dhe e shihte Cristiano Ronaldon si më shumë sesa një futbollist.
“Ti je mentori im. Ti je si një baba për mua” i kishte thënë Ronald Cristiano Ronaldos gjatë përqafimit emocional mes tyre.
Ndërsa shumica menduan se historia do të mbyllej me arrestim, Cristiano Ronaldo kishte plane të tjera.
Pasi mësoi se Ronald ende përballej me akuza, ylli i futbollit nënshkroi personalisht një letër drejtuar Prokurorisë së Miami-Dade, duke kërkuar që çështja të mbyllej.
Në letër, Ronaldo e përshkruante Ronaldin si një student të respektueshëm që kishte bërë një gabim, por nuk paraqiste rrezik. Ai theksonte se i riu kishte bashkëpunuar menjëherë me sigurinë dhe paralajmëronte se një proces penal mund t’i dëmtonte rëndë të ardhmen, përfshirë studimet dhe statusin e tij të emigracionit.


“Nuk dua ta shoh të përballet me dënime penale për gabimin e tij” shkruante Ronaldo. “Ai duket se ka një të ardhme shumë të ndritur dhe nuk dua që ajo të dëmtohet nga ky gabim gjykimi.”
Për Ronaldin, ai gjest u bë një nga momentet përcaktuese të jetës së tij.
Trembëdhjetë vjet më vonë, fati dukej sikur do t’i bashkonte sërish rrugët e tyre. Me Portugalinë që po stërvitej në Palm Beach Gardens gjatë Kupës së Botës 2026, Ronaldi ishte i emocionuar për mundësinë që ta shihte edhe një herë idhullin e tij të fëmijërisë.
Por ai takim nuk ndodhi kurrë. Më 7 qershor 2026, Ronald Gjoka humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik.
Kur gazetari portugez André Ventura kontaktoi familjen e tij duke shpresuar për një takim tjetër mes Ronaldit dhe Cristiano Ronaldos, mori një përgjigje prekëse nga nëna e tij, Malva.
“Roni do ta donte shumë këtë, por fatkeqësisht ndërroi jetë këtë të diel në një aksident me makinë” shkroi ajo. “Ai ishte shumë optimist që Portugalia po vinte të stërvitej në Palm Beach Gardens dhe shpresonte ta shihte edhe një herë idhullin e tij, Cristiano Ronaldon.”
Mesazhi i saj përfundonte me një kërkesë të fundit.
“Nëse keni mundësi të flisni me Cristianon, ju lutem falënderojeni për atë që bëri për djalin tim dhe sa shumë do të thoshte kjo për të.”
Më shumë se një dekadë pas një përqafimi të papritur që bëri xhiron e botës, historia e Ronald Gjokës kujtohet jo vetëm sepse ai takoi një nga legjendat më të mëdha të futbollit, por sepse ajo legjendë zgjodhi dhembshurinë mbi gjykimin.







