1 në 600 vajza në Amerikë gjatë vitit 2020 janë pagëzuar me emrin Madeline. E ndonëse ndodhet me kilometra larg, një ndër emrat më të shpeshtë në Amerikë mban edhe një kosovare. Madelina Geci u emërua kështu nga prindi i saj. Motivi prapa saj është një dhe i vetëm: mirënjohja për ish-sekretaren amerikane, Madeline Albright.
Emrin e njëjtë e mban edhe një vajzë tjetër nga Kamenica.
Por, ky rast nuk është ‘sui generis’ në Kosovë. Emrat që për qëllim kanë të kujtojnë kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë janë traditë në shtetin që konsiderohet si vendi më pro amerikan në botë.
Shumë kosovarë me përfundimin e luftës vendosën t’i emërojnë fëmijët e tyre me emra të personaliteteve amerikane.
Veç që mban një shtatore në Prishtinë, e vendosur pranë flamurit të SHBA-së, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton nderohet edhe në forma të tjera.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë të Punëve të Brendshme, 32 djem kanë emrin Klinton.
Ata vijnë nga komuna të ndryshme në Kosovë, por më së shumti ky emër përdoret në Malishevë. Emrin Klinton mbajnë edhe qytetarë nga Klina, Deçani, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Suhareka, Vushtrria, etj.
Kur flitet për historinë kosovarët nuk harrojnë as ish-presidentin George Bush. Për nder të tij, tre fëmijë mbajnë emrin Bush. Ata janë nga Drenasi, Peja e Malisheva.
Veç në emra njerëzish, Amerika është prezente në Kosovë edhe në emrat e rrugëve. Pikërisht në vendin ku gjendet ambasada e SHBA-së në Kosovë, rruga mban emrin “4 korriku”, për të kujtuar përvjetorin e pavarësisë të SHBA-së.
E një rrugë në Prizren mban emrin “Wesley Clark”, do të mbajë të kalitur mirënjohjen ndaj ish-komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark.