John Alite, dikur pjesë e frikshme e mafies famëkeqe Gambino, tani ka një synim të ri – politikën. Ish-mafiozi shqiptar kërkon të bëhet shqiptari i parë që zgjidhet në Kongresin amerikan.
Në një intervistë ekskluzive për Interaktiv Talks me gazetarin Xhemajl Rexha, Alite ka folur për lidhjet e tij të forta me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për ambiciet e tij të reja politike. Aktualisht ai është këshilltar komunal në Englishtown, New Jersey, dhe synon një vend në Kongres si përkrahës i presidentit Trump dhe mbështetës i marrëdhënieve më të afërta mes shqiptarëve dhe SHBA-së.
“Nëse zgjidhem, do të punoj për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” tha Alite.
Pavarësisht të kaluarës së tij me vite burg për vrasje dhe dhunë, Alite thotë se tashmë ka lënë pas atë jetë. Ai është një vizitor i rregullt në Kosovë, ku çdo herë thotë se ndalet te varrezat dhe shtëpia e familjes Jashari, simbol i rezistencës shqiptare.
Tani, ai shpreson që komuniteti shqiptar në Amerikë ta përkrahë, në një kapitull të ri – nga fama kriminale në ndikim politik.







