Në shtëpi, në rrugë e në tren- pavarësisht lokacioneve të ndryshme, Fjolla Rraci ka në mendje kauzën e njëjtë. E lindur dhe e rritur në Kosovë, Rraci ka vite prej kur punon me personat me aftësi të kufizuara.
Veçse fillimisht aktivitetet e saj i kishte zhvilluar në Kosovë, tani Fjolla jeton kilometra larg vendlindjes, atje ku po trajnohet për t’iu ofruar jetë më të mirë personave me aftësi të kufizuara.
Fjolla- e cila momentalisht po jeton në New Jersey, është duke u trajnuar e po merr pjesë në kongrese të ndryshme për këtë çështje.
“Puna me personat me aftësi të kufizuara nuk është punë që fillon dhe përfundon brenda mureve të vendit ku punon, përjetimet e çdo dite të bëjnë t’i mendosh sjelljet, fjalët, ecjet, lëvizjet, heshtjen, shikimin e gjithçka rreth tyre kur të shkosh në shtëpi, edhe kur je në tren për në shtëpi kudo, mendon gjithë kohën e mundohesh të gjesh zgjidhje që t’ju ndihmosh për një jetë më të mirë e më të pavarur, ku s’janë të drejtuar me gisht” thotë Rraci për Atlantikun.
Ndjeshmërinë për të punuar me këtë kategori të shoqërisë, e thekson Fjolla, mirëpo përtej vështirësive, thotë se progresi që e sheh te ta e bën të ndjehet më e përmbushur.
Rraci tregon për angazhimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kushti që i kam vënë vetes është që të edukohem në raport me aftësinë e kufizuar, të arrijë ta kaloj njeriun që jam sot e t’ju shërbej akoma më mirë atyre- në Amerikë kam marrë pjesë nëpër shumë trajnime e kongrese që kanë pasur për qëllim pikërisht atë që unë dua- aftësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe vetëdijësimin e popullatës rreth tyre” shprehet ajo.
Por, si është qasja ndaj personave me nevoja të veçanta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahasuar me Kosovën?
“Para se të vij në Amerikë, kam menduar që çdokund në botë është më mirë se në Kosovë sa i përket vetëdijësimit dhe qasjes ndaj personave me aftësi të kufizuara, por e kam kuptuar që gjithkund ka diskriminim, përqeshje e informim jo të mirë, e e keqja e Kosovës janë kushtet e jetës” shprehet Rraci.
Fjolla Rraci përfundon intervistën e saj duke thënë se nuk do të ishte person i njëjtë nëse nuk do të merrej me personat me Sindromin Doën në Kosovë.
Kohë më parë, në Times Square ishte shfaqur fotografia e Fjolla Rracit me Nina Maliqin.