Besfort Ferati, shqiptaro-amerikan me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, i cili shërben në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara, është nderuar nga Shoqata e Zyrtarëve Shqiptaro-Amerikanë të Zbatimit të Ligjit.
Shoqata, e njohur si AALEA, e vlerësoi Feratin gjatë Muajit të Trashëgimisë Shqiptare, duke vënë në pah përkushtimin, disiplinën dhe profesionalizmin e tij në shërbim të institucioneve amerikane.
“Dy flamuj. Një zemër. Një mision,” shkroi shoqata në mesazhin e saj, duke theksuar krenarinë për rrënjët shqiptare dhe shërbimin në mbrojtje të Shteteve të Bashkuara.
AALEA përdori rastin për të vlerësuar edhe kontributin më të gjerë të burrave dhe grave shqiptaro-amerikane që shërbejnë në agjencitë federale të zbatimit të ligjit, duke thënë se arritjet e tyre e përfaqësojnë me krenari trashëgiminë shqiptare dhe forcojnë komunitetet ku shërbejnë.
Shërbimi Sekret është agjencia federale përgjegjëse për mbrojtjen e Presidentit, Zëvendëspresidentit, familjeve të tyre dhe krerëve të shteteve në vizitë, si dhe për hetimin e krimeve financiare.
AALEA është një organizatë jofitimprurëse që bashkon zyrtarë shqiptaro-amerikanë që shërbejnë në agjenci lokale, shtetërore dhe federale të zbatimit të ligjit në të gjithë Shtetet e Bashkuara.







