Shqipëria po përgatitet të bëjë një ndryshim historik në ligjin për barazinë gjinore. Qeveria ka dorëzuar në Kuvend një projektligj të ri, i cili e përkufizon gjininë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo më vetëm si “burrë” dhe “grua”.
Sipas draftit të ri:
“Gjinia ka një kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin gjinor dhe shprehjen gjinore.”
Ky ndryshim do t’i japë çdo individi të drejtën të deklarojë gjininë me të cilën identifikohet, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e para në rajon që njeh më shumë se dy gjini.
Projektligji është mbështetur nga Partia Socialiste, e cila ka shumicën në Kuvend, çka e bën miratimin e tij pothuajse të sigurt.
Megjithatë, komunitetet fetare në Shqipëri e kanë kritikuar fuqishëm nismën e qeverisë. Përfaqësuesit e tyre thonë se kjo bie ndesh me traditën dhe vlerat e shoqërisë shqiptare, duke kujtuar se edhe disa vende të Bashkimit Europian njohin vetëm dy gjini.
Debati tashmë është hapur gjerësisht në publik dhe shihet si një nga çështjet më të nxehta të ditëve të fundit.







