17 shkurti po merr njohje të re zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeqyteti amerikan dhe një nga shtetet më të mëdha të vendit kanë shpallur zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke riafirmuar lidhjet e veçanta mes dy vendeve dhe rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Kryetarja e Washington D.C., Muriel Bowser, ka shpallur 17 shkurtin 2026 si “Kosovo Independence Day” në Washington, D.C. Në shpalljen zyrtare theksohet progresi i Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e pozitës ndërkombëtare.
Në dokument vlerësohet gjithashtu lidhja unike dhe e qëndrueshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe partneritet afatgjatë. Po ashtu, përmendet kontributi i qytetarëve shqiptaro-amerikanë në jetën kulturore dhe qytetare të Washington D.C., ndërsa kryeqyteti i bashkohet komunitetit shqiptar dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë.
Në të njëjtën linjë, edhe shteti i Arizonës ka njohur zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Washington, Guvernatorja Katie Hobbs ka shpallur 17 shkurtin 2026 si “Dita e Pavarësisë së Kosovës në Arizona”.
Në deklaratën e Zyrës së Guvernatores theksohet se Arizona është e nderuar të qëndrojë pranë komunitetit shqiptaro-amerikan për të përkujtuar 17 shkurtin 2008 si një moment historik, të mbështetur në parimet e sovranitetit dhe vetëvendosjes. Dokumenti rikujton shpalljen zyrtare të pavarësisë në Prishtinë dhe e cilëson atë si një hap historik për popullin e Kosovës.







