Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka falënderuar publikisht Kosovën për pranimin e personave të deportuar nga SHBA, duke e cilësuar këtë si një ndihmë të jashtëzakonshme dhe një dëshmi të partneritetit të fuqishëm mes dy vendeve.
Në një letër zyrtare drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Trump shpreh mirënjohje për vendimin e Kosovës për të pranuar qytetarë të dëbuar nga vende të treta, duke thënë se kjo tregon forcë, dhembshuri dhe një aleancë të vërtetë me Amerikën.
“Udhëheqja juaj në këtë çështje është një dëshmi e forcës dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës” shkruan Presidenti Trump.
Ai gjithashtu shton:
“Faleminderit për udhëheqjen tuaj të guximshme dhe për qëndrimin si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara.”
Letra, e datës 4 gusht 2025, përforcon lidhjet e ngushta mes SHBA-së dhe Kosovës dhe vjen në një kohë kur bashkëpunimi ndërkombëtar në çështjet e migrimit dhe sigurisë mbetet temë globale. Trump mbyll mesazhin me vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin me Presidenten Osmani në vitet në vijim, duke përcjellë gjithashtu përshëndetjet e Zonjës së Parë.







