Ministri i Punëve të Brendshme të Kosoves, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar në mëngjesin e së premtes.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të premten, Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të cilët po shkonin në pikat kufitare për ndërrimin e tyre, janë sulmuar me granatë dorë dhe armë AK-47. Ministri Sveçla e ka quajtur sulmin “terrorist”.
“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, në tri ditët e fundit kanë ndodhur katër sulme në atë zonë ndaj Policisë së Kosovës.