Në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mbahet takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur”. Takimit të udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do t’u bashkohen në cilësinë e vëzhguesve, kryeministri i Malit të Zi dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.
Në margjina të këtij takimi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Rama përmes një postimi në Facebook thotë se Abazoviqi sot zyrtarisht futi Malin e Zi në iniciativën “Ballkani i Hapur”.
“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me kryeministrin, Dritan Abazoviq, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po edhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur”, ka shkruar Rama.
E për të njëjtin takim ka shkruar edhe Abazoviqi në twitter.
“Në margjinat e nismës “Open Balkan” pata bisedë të këndshme me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill. Partnerët tanë më të rëndësishëm të politikës së jashtme janë këtu. Ballkani Perëndimor ka një vend në BE. Mali i Zi si lider në integrim është gati të jetë shembull pozitiv në këtë proces”, ka shkruar Abazoviq.
Gjatë së mërkurës pritet nënshkrimi i katër marrëveshjeve të bashkëpunimit për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.