Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 23 vjetorin e çlirimit të Prishtinës.
Ajo tha se realizimin e ëndrrës për liri e mundësuan ushtarët e UÇK-së dhe paqeruajtësit e NATO-s, ndaj të cilëve tha se përulet për veprën e tyre.
23-vjet më parë, Prishtina e ndjeu lirinë. Në kujtim të kësaj dite, përulemi para të gjithë atyre që ndihmuan dhe kontribuuan për lirinë tonë. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së nga njëra anë dhe paqeruajtësit e NATO-s nga ana tjetër, mundësuan realizimin e ëndrrës së brezave për liri e pavarësi. Do ta kujtojmë përherë këtë ditë, duke nderuar të gjithë dëshmorët që ranë, duke e mirëmbajtur lirinë tonë dhe duke e forcuar Republikën çdo ditë e më shumë!”, ka shkruar Osmani.
Sot mbushen 23 vjet nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.
Ushtria serbe u dorëzua nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare në tokë dhe bombardimeve të NATO-s që e detyruan të nënshkruajë marrëveshjen e kapitullimit më 9 qershor 1999 në Kumanovë.