Nëntoger Kushtrim Fazliu, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është nderuar me dy çmime prestigjioze pasi përfundoi me sukses Engineer Basic Officer Leader Course (EBOLC), një nga programet profesionale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e oficerëve të inxhinierisë ushtarake.
Gjatë kursit, pjesëmarrësit trajnohen në udhëheqje, planifikim dhe zbatim të operacioneve të inxhinierisë luftarake, ndërtimin e kapaciteteve mbështetëse dhe komandimin e njësive në mjedise komplekse operacionale.
Falë rezultateve të shkëlqyera, Fazliu u shpall Distinguished Honor Graduate, duke u vlerësuar si oficeri ndërkombëtar me performancën më të lartë akademike. Ai mori gjithashtu edhe çmimin Iron Man Award, i cili i jepet pjesëmarrësit me performancën më të mirë fizike.







