Në nëntor të vitit 2022, një përdorues i ri u regjistrua në tregun online Rydox, depozitoi 300 dollarë në kriptovaluta dhe bleu rreth 40 paketa me të dhëna personale të vjedhura: emra, adresa, datëlindje, numra të sigurimeve shoqërore dhe të patentë-shoferëve.
Blerësi ishte burim i fshehtë i FBI-së. Mes të dhënave ishte edhe identiteti i një banori të Pensilvanisë, i shitur pa dijeninë e tij.
Kjo blerje u bë pjesë e hetimit që i çoi autoritetet amerikane te dy vëllezër në Kosovë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, të cilët sipas prokurorisë e kishin krijuar dhe e drejtonin tregun ilegal. Të dy e kanë pranuar fajësinë në SHBA, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.
Rydox funksionoi të paktën nga shkurti i vitit 2016 deri në fund të 2024-s, me një ndërprerje nga gushti 2019 deri në shtator 2020, kur sipas hetuesve administratorët po e rindërtonin platformën.
Sipas aktakuzës amerikane, tregu kishte rreth 18.000 përdorues dhe ofronte mbi 321.000 produkte. Që nga viti 2016 u regjistruan rreth 7.600 transaksione, me një fitim prej 232.284 dollarësh.
Në katalog kishte të dhëna kartelash bankare, fjalëkalime dhe kredenciale për llogari emaili, blerjesh online dhe faqesh takimesh. Shiteshin gjithashtu faqe mashtruese, mjete për spam dhe udhëzues për krime në internet. Paketat që bleu burimi i FBI-së njihen si “fullz”, grupe të plota të dhënash personale që përdoren zakonisht për mashtrime financiare.
Modeli i biznesit përfshinte edhe shitësit. Kushdo që donte të shiste të dhëna të vjedhura në Rydox paguante një tarifë të njëhershme prej 200 deri në 500 dollarësh në kriptovaluta, e më pas i caktonte vetë çmimet. Shitësi mbante 60 për qind të çdo shitjeje, ndërsa Rydox 40 për qind.
Sipas FBI-së, Ardit Kutleshi u përgjigjej kërkesave të përdoruesve, përdorte llogaritë administrative dhe paguante domenin e shërbimet që e mbanin faqen në funksion. Jetmiri ndihmonte me përditësimin e uebsajtit dhe serverit, si dhe menaxhonte një llogari për ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve digjitale. Aktakuza pretendonte gjithashtu se të dy shisnin të dhëna të vjedhura dhe mjete mashtrimi përmes llogarive të tyre në Rydox.
Ajo që i lidhi përfundimisht vëllezërit me platformën ishin paratë. FBI-ja tha se një pjesë e të ardhurave kalonte nga kuletat e Rydox-it në kuleta që i kontrollonin vëllezërit, të cilët kishin hapur llogari kriptovalutash me emrat dhe dokumentet e tyre të vërteta.
Hetuesit krahasuan adresat e emailit dhe numrat e telefonit, dhe në këto llogari gjetën komunikime për administrimin e Rydox-it, ndarjen e fjalëkalimeve, faturat dhe kërkesat e përdoruesve. Ata analizuan edhe një kopje forenzike të serverit dhe intervistuan viktima, të paktën gjashtë prej të cilave nga Distrikti Perëndimor i Pensilvanisë.
FBI-ja vazhdoi të blinte. Më 22 maj 2024, një tjetër blerje e fshehtë siguroi të dhënat identifikuese të një viktime dhe qasjen në llogarinë me abonim të një viktime tjetër.
Më 12 dhjetor 2024, Ardit dhe Jetmir Kutleshi u arrestuan në Kosovë me kërkesë të SHBA-së. Një shtetas i tretë i Kosovës, Shpend Sokoli, u arrestua në Shqipëri. Departamenti amerikan i Drejtësisë e identifikoi atë si administratorin e tretë të Rydox-it. Autoritetet amerikane sekuestruan domenin, ndërsa FBI-ja dhe policia e Malajzisë sekuestruan serverët.
Vëllezërit u akuzuan për gjashtë vepra penale me dënim maksimal të përbashkët prej 47 vitesh burg: konspiracion për pastrim parash, deri në 20 vjet; kërkim i paautorizuar i një mjeti për qasje, deri në 10 vjet; konspiracion për transferimin, posedimin ose përdorimin e një mjeti identifikues, deri në 5 vjet; dy pika të veçanta për transferim, posedim ose përdorim të paligjshëm të një mjeti identifikues, deri në 5 vjet secila; dhe vjedhje e rëndë e identitetit, 2 vjet.
Jetmir Kutleshi e pranoi fajësinë për konspiracionin me mjete identifikuese dhe u dënua më 2025, duke iu llogaritur rreth 12 muaj të kaluar në paraburgim. Sipas vendimit, pas mbajtjes së dënimit ai parashihej të kthehej në Kosovë, me hyrje të kufizuar në SHBA.
Ardit Kutleshi e pranoi fajësinë këtë shtator për konspiracion për pastrim parash dhe vjedhje të rëndë të identitetit, akuza që mbartin deri në 20 dhe 2 vjet burg. Ai pritet ta mësojë dënimin në shkurt të vitit 2027.







