Gjenerallejtënant Eric Wendt, në pension, është konfirmuar nga Senati amerikan si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Senati e miratoi nominimin e Wendt më 7 gusht 2026, në kuadër të një pakete emërimesh të administratës amerikane, duke i hapur rrugën marrjes së detyrës diplomatike në Tiranë.
Wendt u nominua nga Presidenti Donald Trump në prill të vitit 2026. Ai ka më shumë se tri dekada përvojë në ushtrinë amerikane dhe ka mbajtur pozita të larta në NATO dhe në forcat speciale amerikane.
Ai ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë përmes karrierës së tij ushtarake. Gjatë kohës kur drejtonte Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s, forcat speciale shqiptare ishin pjesë e strukturave nën komandën e tij. Wendt gjithashtu ka shërbyer me trupa shqiptare gjatë misionit në Afganistan.
Gjatë dëshmisë së tij para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit në maj, Wendt e përshkroi Shqipërinë si një partnere të fortë të SHBA-së dhe aleate të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Ndër prioritetet e tij ai ka përmendur forcimin e bashkëpunimit në siguri, mbështetjen për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar, rritjen e bashkëpunimit në sigurinë kibernetike, si dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Wendt u pensionua nga Ushtria amerikane në vitin 2021 pas më shumë se 34 vitesh shërbim. Ai ka shërbyer më herët si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, koordinator i sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, si dhe në disa pozita të larta komanduese në ushtrinë amerikane.







