Britania e Madhe dhe bota të hënën e përcollën për në amshim Mbretëreshën Elizabeth II.
Funerali i saj mblodhi në Londër presidentë, mbretër, princa dhe kryeministra nga mbarë bota, si edhe rreth një milion njerëz që erdhën për t’ia dhënë lamtumirën e fundit monarkes që mbretëroi 70 vjet, të cilat do të mbeten në histori si epoka e Mbretëreshës Elizabeth II.
Ceremonia fillestare e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II u mbajt në Kishën Uestminister të Londrës. Në këtë Kishë ajo ishte martuar dhe ishte shpallur mbretëreshë.
Mbreti Charles III qëndronte prapa arkivolit të mbretëreshës së ndjerë.
Udhëheqësi i ceremonies së varrimit, David Hoyle, e vlerësoi shërbimin e kryer nga mbretëresha gjatë gjithë jetës së saj.
Kryepeshkopi i Kantburit, Justin Welby, në predikimin e tij, e përdori shprehjen “ne do të takohemi sërish”, të cilën e ka përdorur mbretëresha në një adresim të rrallë kombit, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
“Dhimbja e kësaj dite – e ndjerë jo vetëm nga familja e mbretëreshës, por edhe nga i gjithë kombi, dhe vendet tjera në botë – lind nga jeta dhe shërbimi i saj i bollshëm”, u shpreh Kryepeshkopi Welby.
Ceremonia u përcoll me muzikë kishtare dhe me lexim të fragmenteve të Biblës. Ajo përfundoi me dy minuta heshtje.
Në Kështjellën Uindsor do të mbahet një shërbim më privat, me praninë e 800 personave.
Mbretëresha Elizabeth II do të varroset në një ceremoni private, në faltoren e Shën Xhorxhit, pranë burrit të saj të ndjerë, Princit Philip.
Të dielën në mbrëmje, Mbreti Charles III e publikoi një mesazh falënderimi për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të mbarë botës. Mbreti tha se ai dhe gruaja e tij, Camilla, janë “prekur tej mase” nga numri i madh i atyre që dolën për t’i bërë nderimet e tyre mbretëreshës.