Sonte do të jetë nata finale e edicionit të 67-të të Eurovizionit.
Festivali do të fillojë në orën 21:00 (Koha e Shqipërisë), ndërsa Albina dhe familja Kelmendi, që përfaqësojnë Shqipërinë, do të jenë të dhjetat në radhë për të ngjitur në skenën e Eurovizionit që mbahet këtë vit në Liverpool.
Pas performancës elektrizuese të artistëve shqiptarë në natën e dytë gjysmëfinale, pritshmëritë janë të mëdha për këngën “Duje”. Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë kanë mundësinë të votojnë me kodin “Vota 10” për të mbështetur Albinën dhe Familjen Kelmendi, sapo të hapet televotimi.
Vendi fitues i Eurovision 2023 do të zgjidhet 49.4% nga panelet kombëtare të gjykimit prej pesë anëtarësh dhe 50.6% nga televotimi publik. Gjithashtu, të drejtë vote kanë jo vetëm 37 vendet pjesëmarrëse të këtij konkursi, por edhe qytetarë nga e gjithë bota, të cilët jetojnë në vende që nuk marrin pjesë në Eurovision 2023.
Votimi publik do të fillojë pas përfundimit të këngës së fundit dhe do të zgjasë afërsisht 40 minuta.
Shikuesit mund të votojnë duke përdorur aplikacionin zyrtar të Eurovizionit ose në internet në www.esc.vote – qendra e re e votimit për konkursin e këngës. Njerëzit në vendet pjesëmarrëse mund të votojnë me telefon dhe/ose SMS. Numrat përkatës do të shfaqen në ekran nga çdo transmetues pjesëmarrës.
Mund ta merrni aplikacionin Eurovision si në Apple Store ashtu edhe në Google Play.