Në mbledhjen e komisionit që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit të kaluar, sot po dëgjohen dëshmi rreth trysnisë që ish-presidenti Donald Trump ushtroi ndaj ish-nënpresidentit Mike Pence, që të ndalonte certifikimin nga Kongresi të fitores së demokratit Joe Biden.
Pence po drejtonte seancën e përbashkët të dy dhomave të Kongresit dhe ndërsa ligjvënësit ishin në fazat e para të numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor, rreth 2,000 mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin, me synimin për të bllokuar procesin.
Pak përpara se të mblidhej Kongresi, privatisht dhe publikisht, në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump i kërkoi Pence, që të refuzonte numërimin e votave elektorale dhe t’ua rikthente rezultatet sërish shteteve të kontrolluara nga republikanët, në mënyrë që ato të urdhëronin zhvillimin e zgjedhjeve të reja, ose të caktonin elektorë të tjerë, pro Trump.
Por Pence, i cili gjatë katër viteve në Shtëpinë e Bardhë i kishte qëndruar besnik Trump, e refuzoi një kërkesë të tillë. Ai tha se roli i tij përcaktohej nga Kushtetuta dhe kufizohej vetëm në hapjen e zarfeve me votat e Kolegjit Zgjedhor nga secili shtet.