Kryeministri Albin Kurti, është takuar sot me drejtues të ndërmarrjeve zvicerane.
Sipas komunikatës së ZKM’së, në qendër të bisedimeve gjatë këtyre takimeve ishte rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Gjatë një dreke pune, kryeministri Kurti theksoi indikatorët pozitivë ekonomik, qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, fuqinë punëtore profesionale si dhe shpenzimet e ulëta operacionale si disa prej arsyeve se pse Kosova ka potencial serioz për investime të huaja. Ai po ashtu foli për marrëdhënien e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës falë mërgatës së madhe shqiptare atje, dhe për planet dhe synimet e qeverisë për ta bërë atë pjesë integrale të zhvillimit të vendit. Kompanitë e përfaqësuara në këtë drekë pune ishin ABB Electrification, Amberg Group, Dr. Borer Consulting, Capita Switzerland, COOP, Die Weltwoche, ManPower, Parashift, RepRisk/Forlam Ventures, Shcaffhauser Kantonalbank, SAP, Sunrise UPC dhe Sygnum Bank AG”, ka njoftuar Kurti.
Ndërsa, siç bëhet e ditur, në takimin me Asgar Brockmeyer, Zëvendës Kryeshef Ekzekutiv i Grupit Stadler Rail, duke theksuar mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë, Kryeministri Kurti foli për qëllimin e Qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës cilësore që redukton kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat.
Po ashtu, lidhur me integrimin e rajonit, kryeministri veçoi hekurudhën ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit në Shqipëri. Dr. Brockmeyer potencoi gatishmërinë e Stadler Rail për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer ekspertizën e tyre në hekurudha me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ministrinë e linjës. Ai bëri të ditur se përfaqësuesit e Stadler Rail së shpejti do të vizitojnë Kosovën për shkëmbime të mëtejshme. Në takimin me kryetarin e Bordit të SELISE (Secure Link Services AG), Kurt Weber, kryeministri Kurti theksoi veçanërisht potencialin e madh dhe gjithnjë në rritje të të rinjve të angazhuar në sektorin e teknologjisë së informacionit. Kryeministri Kurti dhe z.Weber, nënshkruan një Letër qëllim, nëpërmjet së cilës Qeveria e Republikës së Kosovës dhe SELISE, në formë të shkruar shprehin interesimin e përbashkët për të promovuar të bërit biznes në Kosovë dhe të mbështetur Republikën e Kosovës në kontekstin e transformimit digjital”, thuhet në fund.