Sot në qytetin e New York-ut zhvillohet një gala mbrëmje bamirëse me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, një organizim i fondacionit House of P0P.
“Nuk ka mënyrë më të mirë për të sjell në qendër të vëmendjes kauzat tona dhe të festojmë rolin e gruas në shoqëri sesa të organizojmë një mbrëmje të mrekullueshme, ku të gjithë festojmë dhe fuqizojmë njëri tjetrin”, thotë për Atlantikun Drita Popovic, njëra nga organizatoret e gala mbrëmjes.
Në këtë ngjarje organizatorët do të grumbullojnë para, fonde këto që do të mundësojnë blerjen e furnizimeve mjekësore për disa klinika shqiptare në Mal të Zi dhe në qytetin e Gjilanit në Kosovë.
“Kemi parë sfidat gjatë dy viteve të fundit. Rrethanat kanë ndryshuar me izolimin gjatë pandemisë. Shumë humbën vendet e punës, shkalla e varfërisë është rritur dhe kishte mungesa të fondeve në klinikat e qyteteve të vogla. Dëgjuam historitë e familjarëve dhe miqve tanë se si nuk po marrin shërbimet e nevojshme në mungesë të pajisjeve të duhura në klinika. Përmes kësaj mbrëmjeje bamirëse duam të bashkojmë komunitetet tona dhe të sjellim këtë çështje në qendër të vëmendjes, të mbledhim fonde për furnizime të domosdoshme për vendet e paraardhësve tanë”, tha Popovic.
Drita Popovic është një sipërmarrëse e suksesshme shqiptaro-amerikane që emigroi në moshë të re nga Mali i Zi.
Ajo organizon këtë mbrëmje në bashkëpunim me tri gra të tjera të suksesshme: Vjollca Latifi, Samantha Espinal dhe Annanniki Gravito të cilat u bashkuan në New York, me një synim të përbashkët.
“Katër gra nga vende dhe kultura të ndryshme bashkohen për një qëllim të madh. Ky është përshkrimi më i mirë i fuqisë së grave”, thotë Popovic.
Fondacioni House of P0P është një organizatë jo-fitimprurëse që nga viti 2017 merret me kauza të ndryshme si luftimi i varfërisë, mbështetja e edukimit, mbështetja për sistemin shëndetësor, trajtimi i shendetit mendor, ngritja e vetëdijes mbi kancerin e gjirit, autizmi dhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri.
“Gratë janë të mrekullueshme. Ne jemi të fuqishme, të zgjuara, të përqëndruara, të edukuara, argëtuese dhe avanturiere. Kur duam të arrijmë diçka, ne përcaktojmë qëllimet dhe ia dalim. Në shoqërinë e sotme me të gjitha mundësitë që na rrethojnë, vetëm një person mund të të pengojë në arritjen e synimeve tuaja, vetja jote”, këshillon Popovic.
Më qëllim të celebrimit të gruas, mbi punën, fokusin dhe përkushtimin e saj në shoqëri, fondacioni House of POP, ka për qëllim që mbrëmje të tilla bamirëse të organizohen cdo vit.