Jared Kushner ka folur publikisht për herë të parë për resortin në Zvërnec, muaj pasi projekti nxiti disa nga protestat më të mëdha që Shqipëria ka parë në vite.
Në një “verifikim faktesh” të gjatë, të publikuar të enjten si përgjigje ndaj një hetimi të revistës The New Yorker për biznesin e tij, dhëndri i Trumpit e mbrojti projektin dhe iu drejtua drejtpërdrejt shqiptarëve.
“Nuk ka garanci,” shkroi Kushner. “Ne po e marrim këtë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe besojmë te shqiptarët.”
Por e njëjta deklaratë konfirmoi se projekti nuk është miratuar. Kushner shkroi se ai “do të duhet të kalojë nëpër të gjitha proceset rregullatore dhe mjedisore shqiptare dhe të fitojë miratimet e nevojshme për të vazhduar.”
Në qendër të mbrojtjes së tij është vetë toka. “Toka nuk na është dhënë nga qeveria shqiptare,” shkroi ai. Sipas Kushnerit, partneriteti i tij e bleu atë nga një palë private për 230 milionë euro, një nga çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të kësaj përmase.
“Kjo është një investim, jo diçka që na është dhuruar,” shtoi ai, duke thënë se projekti mund të arrijë rreth 4 miliardë euro investim nëse ka sukses.
Kushner nuk i përmendi protestat apo “Revolucionin e Flamingove”. Ai shkroi se partneriteti “është angazhuar gjerësisht me komunitetin lokal në Vlorë,” duke shtuar: “Ne gjithashtu e kuptojmë se njerëzit kanë pyetje dhe shqetësime legjitime.”
Resorti është planifikuar pranë lagunës Vjosë-Nartë, një zonë e mbrojtur ligatinore ku jetojnë flamingot dhe zogjtë shtegtarë. Kushner premtoi se do ta “lërë këtë pjesë të jashtëzakonshme të Shqipërisë më të gjelbër, me më shumë biodiversitet dhe më të fortë mjedisisht.”
Ai hodhi poshtë edhe pretendimet se projekti synonte të fitonte favore te Donald Trump. Interesi i tij nisi në verën e vitit 2021, tha ai, kur ishte qytetar privat dhe shumë kohë para se Trump të shpallte fushatën e 2024-ës. Aeroporti i Vlorës, shtoi ai, ishte miratuar tashmë përpara se ai ta shihte projektin për herë të parë.
Kushner e përshkroi veten si partner minoritar, i fokusuar te vizioni dhe dizajni, pa rol në menaxhimin e përditshëm. Projekti drejtohet nga bashkëpunëtori i tij i vjetër Asher Abehsera, ndërsa mundësia iu prezantua fillimisht nga familja shqiptare e biznesit Kastrati.
Deklarata nuk trajton mënyrën se si toka ndryshoi pronarë përpara se ta blinin partnerët e tij. Në korrik, Reuters raportoi se prokurorët shqiptarë po hetonin biznesmenin Artur Shehu, i cili i shiti prona një kompanie të lidhur me projektin, për dyshime për dokumente të falsifikuara. Shehu i mohon akuzat, dhe Reuters nuk gjeti asnjë tregues se Kushner apo partnerët e tij ishin në dijeni të parregullsive.
“Në fund të fundit, Shqipëria do të vendosë nëse projekti do të vazhdojë,” shkroi Kushner. “Nëse miratohet, shpresoj të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët do të jenë krenarë.”







