Një rrugë pranë Qendrës Kulturore Shqiptare–Struga në Riverdale, New Jersey, pritet të emërtohet “Struga”, në nderim të qytetit dhe komunitetit strugan që prej dekadash jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara.
Premtimi u bë gjatë një takimi mes kryetarit të Riverdale, Paul Carelli, dhe kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, i cili po zhvillon një vizitë në SHBA.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Qendrës Kulturore Shqiptare–Struga, përfshirë kryetarin Sinan Alimi, nënkryetarin Jeton Abdurramani, sekretarin Fitni Istrefi dhe drejtorin për Komunikim dhe Media, Faton Arifi.
Gjatë takimit, Qyra vlerësoi rolin e diasporës strugane në forcimin e lidhjeve mes Strugës dhe komuniteteve në Shtetet e Bashkuara.
“Diaspora jonë është një urë lidhëse mes vendeve tona. Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe politike dhe historike”, tha Qyra.
Carelli vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet me komunitetin shqiptar në Riverdale dhe shprehu gatishmërinë për të vizituar Strugën.
“Tani e njoh më mirë Strugën, një qytet shumë të bukur. Kemi marrëdhënie shumë korrekte me njerëzit tuaj këtu”, tha Carelli.
Gjatë vizitës, delegacioni nga Struga vizitoi edhe një pjesë autentike të strukturës së hekurt të ish-Kullave Binjake të World Trade Center, e cila ruhet pranë ambienteve të komunës.
Delegacioni bëri homazhe në kujtim të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit, ndërsa nderoi edhe amerikanët nga Riverdale që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore.
Emërtimi i një rruge me emrin “Struga” do të ishte një simbol i lidhjes mes qytetit të Strugës dhe komunitetit të tij në SHBA, si dhe i marrëdhënieve të ndërtuara ndër vite mes diasporës strugane dhe institucioneve lokale amerikane.
Nëse emërtimi realizohet, rruga do të jetë një kujtesë e dukshme e trashëgimisë dhe pranisë së komunitetit strugan në New Jersey.







