Kosova do të marrë pjesë me 163 sportistë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, duke dërguar ekipin më të madh në historinë e pjesëmarrjeve të saj në një ngjarje ndërkombëtare shumësportëshe.
Lojërat do të zhvillohen në Itali nga 21 gushti deri më 3 shtator, ndërsa Kosova do të garojë në 21 sporte, me 87 sportistë meshkuj dhe 76 femra.
Në ceremoninë e prezantimit të ekipit, flamuri i Kosovës iu dorëzua boksieres Donjeta Sadiku dhe taekwondistit Bleron Ademi, të cilët do të jenë bartës të flamurit në ceremoninë hapëse.
Në ceremoni morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Në mungesë të përfaqësuesve të xhudos, të cilët do t’i bashkohen ekipit më vonë për shkak të kalendarit të garave, flamuri iu dorëzua dy sportistëve.
Krasniqi u bëri thirrje sportistëve që të japin maksimumin në garat e Tarantos dhe ta përfaqësojnë Kosovën me krenari, dinjitet dhe përgjegjësi.
Edhe Kurti u ka uruar sukses sportistëve kosovarë, duke shprehur dëshirën që flamuri i Kosovës të valëvitet me krenari në Taranto.
Optimizëm për rezultate të reja ka shprehur edhe trajneri i xhudos, Driton Kuka, i cili deri tani ka fituar nëntë medalje në Lojërat Mesdhetare. Për rezultate të reja është shprehur edhe medalistja olimpike dhe mesdhetare, Laura Fazliu.
Kosova synon të vazhdojë sukseset e saj ndërkombëtare me ekipin më të madh që ka dërguar ndonjëherë në një ngjarje shumësportëshe.
Pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, Kosova pritet të marrë zyrtarisht flamurin e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.







